Katër letra dashurie
Margaret Gori e dinte se çfarë ishte dashuria. Ajo e dinte se armiku I kohës ishte dashuria, se bota zhubros ëndrrat më shpejt se lëkura, dhe se kur nuk ndodh asgjë, kur nuk vjen asnjë letër dhe nuk ka asnjë prekje pasioni bëhet gërmadhë. Dikur ka qenë një kohë, ajo e dinte , kur mungesa e puthjeve ishte një bar helm më I fortë se vetë puthjet. Por vetëm kaq, paskësaj vinte një tjetër kohë kur mungesa e puthjeve ishte një ndjenjë e zymtë dhe e ashpër që afrohej derisa mbushte çdo pëllëmbë të miliona kilometrave të shpirtit… Por ajo sërish e grisi letrën…Ajo e dinte se e bija ishte martuar me njeriun e gabuar, por ajo ishte martuar me të, dhe aty mbaronte e gjithçka. Nuk kishte kthim mbrapa, bota nuk ishte e kthyeshme, dhe ndonëse Margareta solli ndërmend zymtësinë dhe zhgënjimin e sigurt të jetës së Izabelës me Piderin, kishte të drejtë të besonte se nuk kishte të drejtë zgjedhjeje. Këto letra nuk ishin gjë tjetër veç fatkeqësisë, dhe pse thelbi I tyre ishte thjesht një fjalë “dashuri”. Ajo do ta linte Nikolasin të shkruante dhe letrën e katërt, pa e ditur se tre të tjerat ishin djegur, e të mendonte se “ajo do të vinte…”.
Por Izabela do të kthehej në ishull e bindur, se, që kur Nikolasi ishte larguar, ajo nuk kishte qenë në gjendje të merrte frymë pa menduar për të, se rruga përpara nuk është më e qartë sesa rruga pas shpine, por se ishte mënyra e vetme për ata, për gjithçka , se intrigat e Zotit dhe Dashurisë, shfaqen njëherazi dhe ishin e njëjta gjë dhe se dashuria për Izabel Gorin ishte ajo për të cilin Nikolas Koglani kishte lindur… Këto janë vetëm disa rreshta mbi historinë e romanit “Katër letra dashurie” ardhur në shqip nën përkthimin e Rudina Xhillarit. Një histori pasioni, shkruar plot stil nga një shkrimtar irlandez I cili shpalos përmes kësaj historie dhe shpirtin e vendit të tij. Një rrëfim I vërtetë për dashurinë njerëzore, për fatet dhe trishtimin, sesi disa rreshta mund të ndryshojnë jetën e një njeriu. Një mori personazhesh na shfaqen në këtë libër, duke na treguar secili “gabimet” e tij. Fati I një piktori dhe e gruas që e deshi atë, është në një farë mënyre fati I artit sot. William nuk kërkon ta fshehë besimin e tij tek ëndrrat, pavarësisht moshës. Në momentin kur errësira bëhet e pranishme në jetën e personazheve të tij, ai fut një dritë e cila I çon drejt gjërave që vërtet kanë dashur, si gjërat që mund ti shërojnë vërtet…. Në dukje si një histori e zakonshme dashurie, “Katër letra dashurie” nuk është aspak I tillë.
Libri është një sfidë për mentalitetin e ngurtë të një epoke për familjen, për mënyrën sesi çdo ndryshim I fatit mund të ishte fatal. Margaret Gori, një grua tipike irlandeze e cila dhe vetë ishte martuar nga një poezi, preferon të grisë letrat e dashurisë të së bijës, e bindur se nuk mund ta ndryshojë fatin, dhe pse e ndjen se fati I së bijës nuk është I duhuri. “Ky është një libër krejtësisht romantik dhe thellësisht origjinal…, historia vërtitet përmes intuitës , veprave të Zotit , fatit dhe rastësive të qëllimshme. Gratë, partnerët apo të dashurat mund të shkojnë për të fjetur me këtë libër dhe s’do lëvizin deri sat a kenë lexuar çdo faqe”, shkruan “Sunday Tribune”. Por në thelb libri është një sfidë ndaj dëshpërimit, dhe një këshillë se si duhet ta ndryshojmë atë.” Katër letra dashurie “është një roman për fatin, pranimin e tij, për tragjeditë dhe mrekullitë e jetës së përditshme. Pjesa më e madhe e tij është një rrëfim I paharruar për fuqinë ndriçuese të dashurisë. “Rastësisht ju keni fatin e madh të lexoni një roman që do t’ju përfshijë si të ishte një triller, dhe do të dëshironi të mos I vijë fundi kurrë… por në fund fare ju lë një shije gëzimi…
Rrëfimi I Williams shpaloset me një hijeshi lirike. Romani rrjedh me kurajo dhe qartësi drejt një pohimi mbresëlënës të magjisë, mrekullisë dhe fuqisë së dashurisë njerëzore”, shkruan “The Times. Po kush është Niall Williams? Ai ka lindur në Dublin në vitin 1958. Ai jeton aktualisht në Kiltumper në perëndim të Irlandës. Ai ka studiuar letërsi angleze dhe frënge në Universitetin e Dublinit përpara se të diplomohej për letërsi moderne amerikane. Ai u zhvendos në New Jork më vitin 1980 ku u takua dhe me gruan e tij të ardhshme Christine Breen. Për një kohë të gjatë ai ka punuar në zyrën e të drejtave të autorit për “Avon books” në New York dhe në vitin 1985 bashkë me të shoqen ai e lë Amerikën për të bërë jetën e një shkrimtari të lirë. Librin e tij të parë ai e shkroi bashkë me Chris, një rrëfim për jetën e tyre në perëndim. Ky rrëfim do të dramatizohej nga teatri Abbey I Dublinit. Më pas Niall do të shkruajë dhe tre pjesë të tjera dramaturgjike të cilat do të vihen në skenën e të njëjtit teatër. Romani I tij I parë është “Katër letra dashurie” I cili u botua në vitin 1997, duke u kthyer në një best seller, dhe u botua në më shumë se 20 vënde.Romani I tij I dytë quhet “Ndoshta në qiell” dhe u botua më 1999-tën dhe u vlerësua me çmimin “Times” për letërsinë irlandeze. Romani I tretë “Rënia e dritës” u botua në të njëjtën kohë në Britaninë e Madhe, Irlandë, Francë , Itali dhe Amerikë. Romani I katërt “Vetëm thuaj një fjalë” pati të njëjtin fat botimi më vitin 2005. Në vitin 2007 ai shkroi librin “Djali dhe bota” , dedikuar të birit Jozef. Libri përmban letrat reale që ai ia shkroi të birit I cili studionte jashtë Irlandës, dhe jetonte në konvikt. Të njëjtën histori ai e vazhdoi me rrëfimin “Djali dhe burri”. Romani I tij I fundit quhet”Xhon””.
Aktualisht ai është duke punuar për romanin e tetë dhe për një përmbledhje me tregime të shkurtra. Shtëpia ku jeton bashkë me Christinë dhe dy fëmijët në Kiltumper, është e rrethuar nga një kopsht I bukur, të cilin Niall e quan frymëzues dhe si vendin e vetëm nga ku mund të shkruajë librat e tij. Bri kopshtit ku kanë çelur lulevjollcat dhe pranverave dëgjohen zhurmat e lehta të krahëve të shpendëve, Niall ulet për të shkruar. Natyra irlandeze është sfiduese në bukurinë e saj, dhe pse shkrimtari kërkon ta shijojë atë vetëm nga një kopsht… Në verë stolat e këtij kopshti mbushen me shkrimtarë të rinj, të cilët vijnë nga larg për të dëgjuar leksionet e Niall dhe Christinë për artin e të shkruarit.