Kina me monedhë digjitale të ngjashme me atë të Facebook

Monedha e re digjitale e propozuar nga Kina do të ketë disa ngjashmëri me monedhën Libra të Facebook.

Monedha do përdoret në të gjithë platformat kryesore të pagesave si WeChat dhe Alipay, tha një zyrtar i lartë i bankës qendrore.

Mu Changchun, zv/drejtori i departamentit të pagesave të Bankës Popullore të Kinës, tha se zhvillimi i monedhës do të ndihmonte në mbrojtjen e sovranitetit të këmbimit valutor të vendit pasi aplikimet tregtare të monedhave të tilla janë zgjeruar.

“Pse banka qendrore po e bën një monedhë të tillë digjitale sot, kur metodat e pagesës elektronike janë kaq shumë të zhvilluara?”-tha Changchun. “Kjo bëhet për të mbrojtur sovranitetin tonë monetar dhe statusin ligjor të monedhës.”

Ai tha se monedha digjitale do të jetë aq e sigurt, sikurse monedhat aktuale të lëshuara nga Banka Qendrore dhe do të mund të përdoren edhe pa një lidhje interneti.

Banka qendrore e Kinës ngriti një ekip studimi në 2014 për të eksploruar lançimin e monedhës së vet digjitale për të ulur kostot e qarkullimit të parave tradicionale dhe për të rritur kontrollin e politikëbërësve mbi furnizimin e parave.

Changchun njoftoi vitin e kaluar se monedha digjitale ishte pothuajse gati. Revista financiare amerikane Forbes raportoi se monedha mund të jetë gati deri në 11 nëntor.

Disa analistë thanë se Kina përshpejtoi nxjerrjen në treg të parave digjitale pasi gjiganti amerikan i mediave sociale Facebook, njoftoi planet në qershor për të krijimin e monedhës digjitale Libra.

SHKARKO APP