Kompania krijon trajtim anti-Covid nga gjaku i lopëve, muajin tjetër nisin testet në njerëz

Ekspertët nga një kompani në Dakodën e Jugut pritet që të nisin muajin tjetër testet në njerëz për një trajtim me antitrupa ndaj koronavirusit. Ky trajtim është krijuar nga plazma e gjakut të marrë nga disa lopë.

Por këto nuk janë lopë si gjithë të tjerat. Shkencëtarët i kanë modifikuar gjenetikisht në mënyrë që t’i pajisin me një sistem imunitar që është pjesërisht “njerëzor”.

Në këtë mënyrë, lopët në fjalë, prodhojnë antitrupa “njerëzorë” për të luftuar koronavirusin. Më pas, këta antitrupa përdoren për të krijuar medikamente apo terapi për ta sulmuar virusin.

“Këto kafshë po prodhojnë antitrupa neutralizues që e vrasin [koronavirusin e ri] në laborator,” tha Eddie Sullivan, drejtuesi i kompanisë për CNN.

“Ne mezi presim të avancojmë në teste klinike ndërsa ecim përpara në procesin rregullues me shpresën për ta sjellë këtë terapi të mundshme COVID-19 për pacientët që kanë nevojë për një zgjidhje.”

Kompania nuk e specifikoi sesa njerëz mund të marrin pjesë në testet klinike apo sa kohë do të duhet që terapia e mundshme të jetë gati. Po ashtu, kompania nuk ka njoftuar ende nëse medikamenti i prodhuar do të shërbejë si parandalues, trajtues për Covid-19 apo të dyja bashkë. /abcnews.al/

SHKARKO APP