Kompania surprizon punonjësit me $10 milionë shpërblim për fundvit

Kur një kompani pasurish të patundshme në Maryland, shtet në SHBA, u shpërndau punonjësve zarfa në ngjyrë të kuqe gjatë festës së përvitshme të mbajtur me rastin e mbylljes së vitit, askush nuk e kishte idenë se ç’fshihej ose çfarë shkruhej në zarf.

Krejt papritur, punonjësit e kompanisë St. John Properties morën në total 10 milionë dollarë shpërblim. Nuk dihet ende sa fitoi secili prej 198 punonjësve – për shkak se shuma u caktua në varësi të viteve të punës – megjithatë me një mesatare të përgjithshme bonuset kanë variuar aty te 50,000 dollarë.

“Teksa hapja zarfin, isha në mosbesim të plotë,” tha për CNN Stephanie Ridgway, asistent-menaxhere në një projekt të kompanisë. “Nuk e besoja kur e pashë. Nuk kam fjalë për ta përshkruar. Ishte një ndjesi e mahnitshme dhe e jashtëzakonshme. Përfundimisht më ndryshoi jeta.”

Presidenti i St. John Properties, Lawrence Maykrantz tha për CNN se kompania kishte arritur objektivin për të zhvilluar 20 milionë metra katrorë në pasuri të patundshme.

“Ne donim të bënim diçka që të falenderonim punonjësit tanë që na ndihmuan në arritjen e qëllimit. Donim të bënim diçka të madhe,” tha ai.

Shuma më e vogël që u dha ishte 100 dollarë, dhënë për një punonjës që sapo ishte pranuar në punë dhe nuk kishte filluar ende punë në kompani. Bonusi më i majmë kapi shifrën 270,000 dollarë.

“Ishte me të vërtetë një nga gjërat më të mrekullueshme që kam parë në jetën time. Të gjithë u emocionuan. Bërtisnin, qanin, qeshnin dhe përqafoheshin,” shtoi presidenti.

Festa u organizua jashtë shtetit dhe të gjithë punonjësit udhëtuan me avionë dhe më pas u akomoduan në hotele. Të gjitha shpenzimet u mbuluan nga kompania.

 

SHKARKO APP