Koronavirusi, 7 mënyra për ta mbrojtur veten nga “lajmet panikuese”

Në çdo moment të ditës, është e pashmangshme që të jemi të ekspozuar ndaj ekraneve të mëdha të televizorëve, apo njoftimeve që na vijnë në celular – lajme, foto, mesazhe zanore, të rejat më të fundit, numri i shtuar i viktimave të coronavirus, etj. Edhe pse secili nga ne ka mënyrën e vet për të reaguar ndaj lajmeve të “zeza”, sidoqoftë, përjetimet e secilit mund të manifestohen në ankth dhe depresion, pasi të lexosh vazhdimisht lajme të dhimbshme, është e paevitueshme të influencohesh. Më poshtë, 7 mënyra se si të mbroni veten nga “lajmet alarmante”.

1.Shmangni interpretimet katastrofike

Ne duhet të kujtojmë se, historikisht, njerëzimi ka parë periudha shumë më të këqija, edhe edhe në fushën e epidemive. Njerëzit janë përballur dhe  kanë kapërcyer fatkeqësi shumë më të mëdha, në kohëra që as nuk e kanë njohur teknologjinë. Në shekullin XIV, pandemia e murtajës e quajtur “vdekje e zezë” shkaktoi dhjetëra miliona vdekje në Europë, me vlerësimet e vdekshmërisë që shkonin nga 30 deri në 60% të popullsisë. Në shekullin e kaluar, virusi i gripit që u shfaq në vitin 1918 shkaktoi më shumë vdekje sesa të gjithë ushtarakët dhe civilët që vdiqën nga ngjarjet e Luftës së Parë Botërore.

2.Mos u fiksoni me titujt e parë të lajmeve

Edhe pse është paksa e pamundur të qëndroni indiferent ndaj lajmeve të këqija, në një situatë të vështirë, përpiquni që të mos rifreskoni gjatë gjithë kohës faqet e para të lajmeve, për të qenë “në pritje” të asaj që mund të ketë ndodhur. Sigurisht, informohuni për të rejat më të fundit, por mos rrini duke lundruar përgjatë gjithë kohës, e veçanërisht përpara gjumit, pasi e vetmja gjë që do të siguroni është një natë me gjumë dhe ëndrra të këqija.

3.“Zhdukeni” stresin me aktivitet fizik

Aktiviteti fizik mund të ndihmojë shumë për të larguar stresin e krijuar nga lajmet alarmante. Ekzistojnë studime që tregojnë se stërvitja, si trajnimi aerobik kanë një efekt pozitiv në shëndetin mendor. Rezultatet e meta-analizave të fundit të disa studimeve klinike sugjerojnë që ushtrimi i rregullt ul simptomat depresive dhe ankthin. Edhe në një kohë distancimi social, ju mund të ushtroheni lehtësisht në shtëpi, me një numër të pafundëm aplikacionesh dhe videosh në YouTube, nëse jeni fillestar.

4.Buzëqeshni

Kur ta gjeni veten të trishtuar për shkak të lajmeve të rënda që keni lexuar, është e rëndësishme të buzëqeshni – sforconi veten. Nga ana tjetër, mund të kërkoni me vetëdije disa lajme pozitive, sa për të ndryshuar gjendjen që është duke ju kapluar. Akti i të qeshurit rrit gëzimin dhe mirëqenien, ndërsa e kundërta, pra formimi i shprehjeve të trishtuara dhe të vrenjtura të fytyrës, gjeneron trishtim.

5.Qëndroni në kontakt (në distancë) me njerëzit e tjerë

Në një periudhë vështirësish dhe stresi, është jashtëzakonisht e rëndësishme të mbash kontakte jetësore me të dashurit e tu. Studimet tregojnë se si vetmia është një faktor serioz rreziku si për shëndetin mendor ashtu edhe për atë fizik. Nga ana tjetër, mbështetja sociale është një faktor i fuqishëm mbrojtës për shëndetin mendor dhe atë fizik. Mbajtja e kontakteve me të afërmit dhe miqtë në periudhën që të gjithë qëndrojnë në shtëpi është një element jetik, e sidomos kemi luksin, që për shkak të teknologjisë, ky element jetik të mos na mungojë.

6.Reduktimi i “bombardimit” me lajme

Të qëndrosh i informuar nuk do të thotë që të jesh i lidhur vazhdimisht me burimet e lajmeve. Është thelbësore që të bëni përkohësisht pushim, por duke “fikur” çdo gjë, njoftimet në telefon, televizorin, radion, qoftë edhe për gjysmë ore. Nëse ankthi i lajmeve është shumë i fortë, atëherë mund t’i lejoni vetes edhe të hiqni nga telefoni atë aplikacion që po ju shkakton ankth, apo të ndaloni së ndjekuri një faqe të caktuar, të ndaloni njoftimet, etj.

7. Përqendrohuni në atë që mund të zgjidhet

Shumica e lajmeve ndaj të cilave jemi të ekspozuar në këtë periudhë kanë të bëjnë me çështje mbi të cilat kemi pak ose aspak kontroll. Përqendrimi në këtë lloj lajmi nuk është vetëm i kotë, por edhe i dëmshëm, pasi të ndjeheni të pafuqishëm ndikon në rritjen e nivelit të stresit. Nga ana tjetër është e dobishme të bëjmë atë që vërtet mundemi dhe kemi në dorë, për të ndihmuar në situatën, si për shembull të qëndroni në shtëpi dhe të kujdeseni për veten.

Burimi: Ilsole24ore

SCAN

SHKARKO APP