Koronavirusi boshatis farmacitë edhe nga kondomët
Në mungesë të maskave dhe dorezave mbrojtëse dhe të mbushur nga paniku i përhapjes së koronavirusit shumë banorë në vendet e prekura nga epidemia po u drejtohen mjeteve rrethanore për të mbrojtur veten nga infektimi.
Farmacitë në Singapor janë boshatisur prej kohësh nga dorezat dhe maskat, pas udhëzimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara sesi të mbrohen nga marrja e virusit. Megjithatë, banorët vendas kanë gjetur një zgjidhje tjetër, të paktën për dorezat.
Ata u janë drejtuar kondomëve duke i përdorur nëpër gishta për të shmangur kontaktet e drejtpërdrejta me sipërfaqet dhe ambientet e përbashkëta, si një masë mbrojtëse ndaj virusit.
Në Sidnej në shumë farmaci ka ndodhur e njëjta gjë, ku veç mungesës së dorezave është vënë re edhe një boshatisje e rafteve me kondomë. Gjithçka nisi pas një postimi viral, ku këshilloheshin njerëzit që në mungesë të dorezave të vendosnin kondomë në gishtat e tyre për të shtypur butonat e ashensorëve, që në të njëjëtin postim vlerësoheshin si “tepër të rrezikshëm” për përhapjen e koronavirusit.
Ndërkohë, kompania kineze e shitjeve online, Pinduoduo deklaroi se kondomët ishin mes dhjetë produkteve më të shitura prej saj që prej shpërthimit të koronavirusit.
Rritje të kërkesës ka edhe për shumë produkte të tjera higjeno-sanitare, deri tek letrat higjenike, për të cilat në zona të caktuara të Australisë është bërë problem, aq sa rrjeti i supermarketeve “Wolworths” ua ka ndaluar klientëve që të blejnë më shumë se një pako me letra të tilla për person.