Kryevepra e Picasso-s pritet të shitet për një shumë marramendëse

Një kryevepër e piktorit spanjoll, Pablo Picasso, e realizuar në vitin 1955, pritet të shitet për një shumë të lartë që kap shifrën e 140 milionë dollarëve.

“Women of Algiers (Version O)” do të ofrohet në një ankand të shtëpisë Christie’s më 11 maj. Figura kryesore që e bën këtë pikturë kaq tërheqëse është muza e Picasso-s, Jacqueline Rogue, me të cilën piktori kubist u martua në vitin 1961. Sipas HuffingtonPost, vepra është pjesë e një serie me 15 vepra të krijuara nga 1945-1955, frymëzuar nga “Women of Algiers in their Apartment” nga Eugene Delacroix, që varet në Louvre të Parisit.

Me këtë parashikim, vepra i afrohet rekordit për një vepër arti të shitur në një ankand, të cilin e mban “Three Studies of Lucian Freud” e piktorit Francis Bacon, me 142.4 milionë dollarë. Ndërkaq, vepra më e shtrenjtë e Picasso-s vazhdon të jetë “Nude, Green Leave and Bust” e vitit 1932, një pikturë e të dashnores së tij Marie-Therese Walter, e cila u shit në vitin 2010 për 106.5 milionë dollarë.

SHKARKO APP