Kupidi, ose keqkuptimi që kemi mbi dashurinë

Kur flasim për mitet zakonisht kemi një konceptim të gabuar për to. Kjo vjen për një sërë arsyesh të ndryshme, të cilat kryesisht lidhen me zhvillimin e shoqërisë njerëzore kundrejt shkencave dhe pikëpamjeve materialiste dhe empirike. Por përtej kësaj mendësie, a ka diçka që mund të na mësojnë mitet?

Në epoka të ndryshme të njerëzimit, ndryshe nga epoka jonë, mitet janë cilësuar si forma më e lartë e edukimit të një individ apo shoqërie. Përgjithësisht këto tradita dhe qasje i shohim tek dy nga qytetërimet më të njohura për ne; atë grek dhe atë romak. Referuar mitologjisë së këtyre dy qytetërimeve, filozofi dhe dijetari anglez, Francis Bacon i ka kushtuar një libër kësaj mitologjie të titulluar “Dijet e të lashtëve”, libër të cilin lexuesi shqiptar ka mundësi ta lexojë edhe në shqip tashmë falë Botimeve Akropoli i Ri.

Në këtë libër Bacon merr në trajtesë 31 mite të cilat i analizon nga ana shkencoro-filozofike. Një ndër mitet e trajtuara në libër është edhe ai i Kupidit. Bacon na flet për një Kupid shumë më të hershëm se ai që ne njohim zakonisht si i bir i Afërditës. Ai na thotë se ekziston një Kupid që ka lindur nga Nox, ose Nata që është simbolikë e kaosit primordial të krijimit të Universit.

Sipas Bacon, është ky Kupid që a bën materien të ndërveprojë dhe të afrohet me veten. Sipas tij ky Kupid lind nga Nox (Nata), pasi Dashuria nuk lind nga asgjë tjetër, ose origjina e saj është e mistershme dhe prandaj thuhet sikur lind nga Nata. Është pikërisht ky Kupid, që “ushqen” një “etje” të materies për të synuar drejt qendrës.

Bacon shpjegon se nga ana filozofike Kupidi është parimi ose principi i cili qëndron pas çdo veprimi të materies në Univers. Bacon thotë se Kupidi primordial na vjen si një fëmijë, lakuriq dhe me hark, pasi dashuria është gjithmonë e re, e pangarkuar dhe shënjestrues prej larg.

Ndërsa Kupidi tjetër, biri i Afërditës, na shpjegon Bacon, është një pasardhës i Kupidit të parë, por që ka si fushë veprimi marrëdhëniet dhe afrimin e personave, jo vetë materies në thelb. Por për tu thelluar më shumë te ky mit, si dhe te shumë mite të tjera, mjafton të keni në dorë librin “Dijet e të lashtëve” të Bacon, të sjellë në shqip nga Botime Akropoli i Ri.

Andi Kurti, Botime Akropoli i Ri

SHKARKO APP