Larg botës së e-commerce – Vetëm 5.7% e bizneseve tregtojnë nga interneti

Tregtia elektronike sot është një tendencë e rëndësishme globale, por, biznesi shqiptar po përfshihet në përmasa shumë të kufizuara.

Sipas Institutit të Statistikave, vitin e kaluar, vetëm 5.7% e bizneseve shqiptare shisnin nëpërmjet internetit. Të dhënat tregojnë se përqindja e bizneseve që aplikojnë tregtinë elektronike ka rënë me 2 pikë krahasuar me vitin 2017.

Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikimit me 23,6 %, pasuar nga riparimi i kompjuterëve, artikujve personalë e familjarë me 20% dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 13 %.

Në përgjithësi, shfrytëzimi i mundësive të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit nga biznesi shqiptar ngelet i kufizuar. Rreth 97% e ndërmarrjeve që kanë kompjuter dhe njëkohësisht lidhje interneti, por, më pak se gjysma e bizneseve të anketuara, rreth 45%, kanë një faqe të tyre në internet. Madje, ky tregues paraqitet në rënie për të dytin vit radhazi, po të kemi parasysh se për vitin 2017 ishte 47%, ndërsa për vitin 2016 kishte qenë 52%.

Në vitet e fundit, përdorimi i internetit është rritur me ritme të shpejta dhe vlerësohet në mbi 65% të popullsisë. Por, me sa duket, ende shumë ndërmarrje nuk e konsiderojnë ende faqen e internetit si një kanal të domosdoshëm për marrëdhënien me klientët. Vetëm 23% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë të punësuar specialistë të teknologjisë së informacionit, përqindje kjo e ngjashme me vitin 2017.

Për matjen e nivelit të treguesve të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit Instat anketon çdo vit ndërmarrjet me më shumë se 10 persona të punësuar. Për vitin e kaluar, u anketuan mbi 1600 ndërmarrje.

SHKARKO APP