Lind foshnja nga mitra e transplantuar prej një donatoreje të vdekur

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur fëmijën e parë të lindur nga një grua që kishte të transplantuar mitrën në trupin e saj nga një donatore e vdekur.

Foshnja erdhi në jetë në The Cleveland Clinic në Ohio me anë të lindjes cezariane.

Kirurgët transplantuan mitrën e dhurueses së vdekur në trupin e nënës së foshnjës në fund të vitit 2017.

Nëna, e cila është rreth 30 vjeç nuk është identifikuar. Ajo ngeli shtatzënë me anë të fertilizimit in vitro në fund të vitit 2018.

“Jemi mirënjohës ndaj donatores së mitrës dhe familjes së saj. Bujaria e tyre lejoi që ëndrra e pacientes të realizohej dhe foshnja të vinte në jetë,”-tha mjeku Andreas Tzakis.

Ndërsa shtoi që nëna dhe vajza janë mirë.

Lindja e parë e një foshnje nga një grua me mitër të transplantuar u bë në Suedi 5 vite më parë.

Dhe fëmija i parë nga mitra e një donatori të vdekur lindi në Brazil në dhjetor 2018.

SHKARKO APP