Lufta e këtij shekulli bëhet në… Arktik
“Dy shkencëtarë norvegjanë, u nisën me 21 ton furnizime – ushqime, pajisje për të eksploruar thellësitë e oqeanit, një instrument për rrymat e ujit… Do të shponin hidrovrima në akull, do të mblidhnin pjesë sedimentesh miliona vjecarë nga shtrati i oqeanit, dhe do të ktheheshin në bazë…” Gjithcka e planifikuar, përvec një të papriture: Gjatë gjithë kohës, ishin nën vëzhgimin e nëndetëseve ruse…
E përmuajshmja amerikane Foreign Policy i ka kushtuar një speciale pikërisht garës së madhe për Arktikun. Nuk është as Lindja e Mesme, as Deti i Kinës së Jugut, as Ukraina fushëbeteja e madhe e shekullit të 21. Eshtë Poli i Veriut.
Nën akujt që vazhdojnë të shkrihen, ndodhen afro një e katërta e lëndëve djegëse të planetit. Shërbimi Gjeologjik i SHBA ka vlerësuar se Arktiku përmban afro 13% të naftës së pazbuluar të globit, afro 90 milionë fuci, si dhe 30 % të gazit natyror.
Foreign Policy, duke cituar shkencëtarët amerikanë, shkruan se nga viti 1975 deri në vitin 2012, afro 65% e shtresës së akullit mbi kubenë që “mbulon” këtë vendndodhje të burimeve natyrore është shkrirë.
Këto të dhëna përkthehen në shanse të mëdha për shtetet që kufizohen me Oqeanin Arktik – Rusinë, SHBA, Kanadanë, Norvegjinë dhe Danimarkën (përmes territorit të saj të Groenlandës. Por ka një problem. Në fillim, gjithësecili prej tyre duhet t’i vërtetojë një paneli të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, se qasja në këto burime është e drejtë e tyre. Janë 21 gjeologë, gjeofizikanë dhe hidrografë që punojnë në Manhatain, që vendosin se kujt i takon cfarë, shkruan Foreign Policy. Sipas një traktati që të gjithë këta shtete – përvec SHBA – e kanë firmosur, atyre u takon një sipërfaqe deri në 200 milje larg nga bregu. Por mund të pretendojnë edhe 350 milje të tjera, vetëm nëse vërtetojnë se formimi nënujor është një zgjatim i pjesës tokësore të tyre.
Dhe duke qenë se ky është një proces që kërkon vite, në mos dekada, në ndërkohë këta shtete mund të përplasen mes tyre – sidomos tani që kanë nisur dërgimin e ushtarëve, spiunëve dhe shkencëtarëve, për të mbledhur informacione në lidhje me një prej “pronave të paluajtshme” më të rrezikshme të planetit.
Nëse Viena ishte udhëkryqi i spiunazhit njerëzor gjatë Luftës së Ftohtë, një nyjë vendesh të sigurtë ku spiunët nga Lindja dhe Perëndimi ruanin njëri-tjetrin nëpër kafene, mund të thuash pa hezitim se Arktiku është shndërruar në udhëkryqin e spiunazhit teknik të ditëve të sotme. Sic e thotë një proverb Inuit: “Vetëm kur të thyhet akulli, do ta mësosh vërtetë se kush është miku dhe kush është armiku yt”.