Mediat britanike zbuluan sa ishte paga e Enver Hoxhës
Enver Hoxha lindi më 16 tetor 1908 në Libohovë.
Prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22të. Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 tetori 1944 deri më 19 korrik 1954 – plot nëntë vite e nëntë muaj e 26 ditë.
Kryeministër, ministër i Mbrojtjes, ministër i Jashtëm, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH, gjeneral kolonel, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura…
Askush nuk ka mbajtur njëkohësisht kaq shumë detyra në historinë e shtetit shqiptar dhe askush nuk e ka drejtuar më gjatë se ai Shqipërinë.
Por, sa e kishte rrogën Enver Hoxha? Revista “Time”, e vitit 1971, zbulon se Hoxha merrte dymijë lekë të rinj, ose me kursin e asaj kohe 240 dollarë amerikanë, ose gati sa paga minimale e një punonjësi të thjeshtë sot në Shqipëri.
Për 40 vjet, Enver Hoxha drejtoi me dorë të hekurt Shqipërinë.
Afro 100 mijë është shifra zyrtare që jepet për ata që kanë vuajtur gjatë sistemit komunist, ose janë vrarë, ose janë burgosur apo internuar.
Në 10 vite si kryeministër dhe në 30 të tjera si sekretar i parë i Komitetit Qendror, Enver Hoxhës nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë. Asnjë atentat, asnjë përpjekje, asnjë tentativë, asnjë plan nuk është konfirmuar që një apo disa shqiptarë të synonin për ta eliminuar Enver Hoxhën.
Më 11 prill 1985, Enver Hoxha vdiq, kur ishte 76 vjeç, gjashtë muaj e pesë ditë. Por, duket se të gjitha pasojat e atyre që bëri Enver Hoxha i pati pas vdekjes.
Më 20 shkurt 1991, shtatorja e tij gjigante në sheshin “Skënderbej” u tërhoq zvarrë duke u shndërruar në simbolikën e rrëzimit të komunizmit.
Mesnatën e 3 majit të vitit 1992, u zhvarrosën eshtrat e tij dhe u hoqën nga varrezat e Dëshmorëve të Kombit për t’i varrosur në Sharrë po atë ditë. Por, jo për të gjetur prehje.
Në 20vjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës, Teuta Hoxha, nusja e djalit të tij, tha se 40 herë e kanë shkatërruar varrin e Enverit që pas vitit 1992.
Në vitin 1996, në kodrat e Liqenit të Tiranës, në kujtim të ushtarakëve anglezë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u përurua një memorial bashkë me varrezat e 100 pjesëtarëve të misioneve që u vranë në tokën shqiptare.
Në vitin 2006 pllaka përkujtimore prej mermeri me ngjyrë të kuqe nuk ishte gjë tjetër veçse pllaka e varrit të Enverit që dikur qëndronte në varrezat e Dëshmorëve. Një çudi që vazhdon të jetë edhe sot dhe po çudi vazhdon edhe kokëfortësia e atyre që e kanë vënë dhe atyre që e kanë për detyrë ta heqin.