Mes stuhisë, si u realizua në kohë rekord fluturimi Nju Jork-Londër
Stuhia “Ciara”, që ka përfshirë Europën veriore dhe veçanërisht Britaninë Madhe “ka sjellë” mes të tjerave edhe një rekord të thyer.
Përpos përmbytjeve dhe dëmeve të konsiderueshme materiale, era jashtëzakonisht e fortë i ka mundësuar një avioni Boeing 787 të kompanisë British Airways të përfundojë udhëtimin Nju Jork- Londër në 4 orë e 56 minuta.
Avioni duhet të kalonte Oqeanin Atlantikun në 6 orë e 45 minuta por pilotët “ndoqën” erën e fortë të stuhisë, që në lartësi mund të kapë edhe 420 kilometrat në orë, duke i dhënë mjetit fluturues shpejtësinë e 1327 kilometrave për orë.
Rekordi i shpejtësisë absolute mbahet gjithsesi nga mjeti Concorde, që në 1996 përshkoi udhëtimin në vetëm 2 orë e 53 minuta.
Edhe avionë të tjerë ditën e djeshme kanë përfituar nga forca e stuhisë për të shkurtuar me të paktën një orë e gjysmë distancën midis kontinenteve.