Misteri ‘New Coke’ – Pse Coca riktheu në Netflix produktin që i kushtoi 34 milionë dollarë humbje në ’85?
Sezoni i tretë i serialit ‘Stranger Things’, masivisht popullor në Netflix, debutoi me 4 korrik, duke i ‘ushqyer’ shikuesit me një dozë nostalgjie të viteve ’80.
Coca – Cola është pjesë e serialit me produktin e saj ‘New Coke’, i cili për herë të parë u lançua në vitin ’85, në po të njëjtin vit ku është vendosur dhe sezoni aktual i serialit.
Por, ‘New Coke’ është cilësuar strategjia më e dështuar e marketingut nga ana e Coca – Colës. Në atë kohë, konkurrenti i kësaj të fundit, Pepsi, po dominonte tregun, duke u cilësuar si ‘pija e gjeneratës së re’, madje duke ‘përqeshur’ Coca – Cola dhe quajtur ‘pija e gjeneratës së vjetër’.
Coke kishte humbur kontrollin mbi tregun e pijeve me gaz dhe zinte vetëm 24 % të këtij të fundit. E detyruar të bënte një lëvizje, kompania ndryshoi formulën e pijes dhe nxori në treg ‘New Coke’.
Edhe pse pija u testua në 200.000 vetë dhe u pëlqye, kur doli në treg dështoi dhe irritoi klientët, aq sa u detyrua të tërhiqej nga qarkullimi vetëm pas tre muajsh, për të rikthyer versionin klasik të Coca-Cola.
Pavarësisht që kompania nuk e zbuloi kurrë sa humbje pati për shkak të ‘eksperimentit’ me formulën, prestigjiozja ‘New York Times’ raportoi se përveç 4 milionë dollarëve në kërkim dhe marketing, kompania humbi afërsisht edhe 30 milionë dollarë për shkak të produkteve të stukuara.
Megjithatë, përpos përfshirjes në serial, Coca – Cola ka nxjerrë në treg si ‘limited – edition’ po të njëjtin produkt të asaj kohe, për 19.85 dollarë, duke krijuar diskutime për ‘riskun’ e ndërmarrë me rikthimin e një produkti, i cili dikur i kushtoi jo pak.
Por, edhe pse në ato vite ‘New Coke’ dështoi, la gjurmë në kujtesën e atyre që përjetuan vitet ’80.
‘’Ishte vera e vitit 1985. Nëse flasim për kulturën pop të asaj kohe, Coca – Cola ka luajtur një rol të madh. Do të kishte qenë edhe më e çuditshme po të mos e kishim përmendur” u shprehën vëllezërit Duffer, producentët e serialit ‘Stranger Things’.
E meqenëse po flasim për një serial me ‘gjëra të çuditshme’, ndoshta në 2019 Cola do të ketë sukses me rikthimin e ‘New Coke’, si një prej ‘të çuditshmeve’ të asaj kohe.