“Murtaja” në Rusi, ndalet gjuetia e marmotave
Pas pandemisë së koronavirusit bota tashmë kërcënohet edhe nga rreziku i një sëmundjeje tjetër vdekjeprurëse si murtaja që në Mongoli dhe në Kinë ka infektuar disa persona. Rusia në veri po ashpërson kontrollet kufitare me dy vendet dhe ka nxjerrë udhëzime për gjuetinë.
Rusia ka rritur kontrollet në kufirin me Mongolinë dhe Kinën pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes së murtajës në dy fqinjët jugorë.
Autoriteti i Shëndetit Publik në Rusi njoftoi se po patrullon territoret e afërta malore duke udhëzuar banorët dhe gjahtarët të ndalin gjuetinë e marmotave.
Raportohet se ky lloj brejtësi i madh që jeton në zonat malore është transmetues i sëmundjes më vdekjeprurëse në historinë e njerëzimit.
Javën e kaluar, rastet e dy të infektuarve që kishin konsumuar mishin e marmotave detyruan Mongolinë të futë në karantinë rajonin perëndimor të Kovdit në kufi me Rusinë.
Për vendësit konsumimi i të brendshmeve të këtyre kafshëve besohet se forcon shëndetin.
Ndërkohë, të dielën, ishin autoritetet në rajonin autonom kinez afër Mongolisë që ngritën alarmin për një tjetër të shtruar në spital që ishte diagnostikuar me murtajë.
Epidemia e murtajës apo e njohur ndryshe si “vdekja e zezë” që shpërtheu në Europë gjatë mesjetës është një sëmundje tejet infektive që merret kryesisht nga konsumimi i kafshëve të vogla brejtëse, që e transmetojnë bakterin nga parazitët e vegjël si pleshtat.
Mendohet se vdekja e zezë në atë periudhë u kushtoi jetën më shumë se 75 milionë njerëzve në Eurazi, në Afrikën Veriore dhe në Europën e viteve 1350.
Në kohët moderne, sëmundja shfaqet në raste të rralla në rajonin e Kinës, me gati 29 raste dhe 11 vdekje gjatë viteve 2009-2018, por tashmë është e kurueshme me antibiotikë.