Mushkonjat-tigër sterilizohen nëpërmjet rrezatimit
Mushkonjat-tigër mbeten një sfidë globale për përhapjen e viruseve tropikale në mbi 130 shtete. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia për Energjinë Atomike po studiojnë një teknikë të re rrezatimi që shpresohet se do të ulë numrin e insekteve të infektuara.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike po studion një metodë për zhdukjen e mushkonjave që bartin viruse tropikale si ethet e verdha apo zika.
Sterilizimi përmes rrezatimit mendohet se do të asgjësojë epidemitë e shkaktuara nga insektet që prekin mbi 4 mld njerëz në mbi 130 shtete të botës.
“Mushkonjat-tigër nuk mund të kontrollohen me teknologji të tjera. Me teknikën tonë, ne do të lëshojmë në natyrë meshkuj sterilë që do të fekondojnë femrat e infektuara dhe do të krijojnë embrione sterile,” deklaron shkencëtari Jeremy Bouyer.
Përdorimi i rrezatimeve te insektet është një metodë e përdorur prej 60 vitesh, por energjia nuk është radioaktive ndaj nuk e dëmton mjedisin.
“Rastet e malaries kemi arritur t’i mundim nëpërmjet dezinfektimit, ndërsa mushkonjat-tigër janë një sfidë, pasi të pickojnë ditën, vezët e tyre mbijetojnë në mungesë lagështie edhe për disa muaj, dhe këto insekte mund të jetojnë në shtëpi ose edhe të udhëtojnë bashkë me ju,” deklaron Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Teknikat e sterilizimit do të testohen vitin e ardhshëm në Brazil, Meksikë, Gjermani dhe Kubë, ndërsa deri tani ka qenë efektive për 90 për qind të insekteve ku është provuar më parë.