NASA në alarm, bakteret pushtojnë stacionin hapësinor
Ndodhet afro 400 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, megjithatë Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar është i ndotur.
Alarmi lëshohet nga agjencia hapësinore amerikane, NASA, e cila vëren se stacioni qendror që orbiton rreth planetit tonë, është i mbushur nga mikrobe të shumta.
Mikrobet rrezikojnë shëndetin e astronautëve që punojnë në të.
Sipas NASA-s bëhet fjalë për baktere, mikrobe dhe mikroorganizma patogjenë që po përshtaten me “shtëpinë e tyre të re” nën kushtet e gravitetit të ulët, radiacionit hapësinor dhe nivelit të lartë të dioksidit të karbonit.
Shkencëtarët e NASA-s mbërritën në këtë përfundim pas analizave të kryera në një mostër të marrë nga pjesa e jashtme e satelitit artificial, ku u vu re një patogjen i rrezikshëm që infekton lëkurën e njeriut.
Veç këtij bakteri janë gjetur edhe një sërë patogjenësh të tjerë që shkaktojnë infeksione në grykë, sy, veshë dhe lëkurë dhe për këtë NASA kërkon që të rishikohen masat e sigurisë higjienike në ISS.