Ndërroi jetë 22 vjet më parë, por zemra i tij pushoi këtë vit

Nicholas Green, u qëllua për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e datës 29 shtator 1994, gjatë pushimeve me familjen në Italinë e jugut.

Kjo qe tragjedi për prindërit e tij, Reg dhe Maggie, por vendimi i tyre për t’i dhuruar organet e tij bënë që shkalla e dhurimit të organeve në Itali të treñshohet brenda dekadës. Kjo dukuri ka marrë emrin “efekti Nicholas”.

“Herën e parë që e ndjeva rrezikun qe kur një veturë me ngjyrë të errët na afrua shumë nga mbrapa duke mos na u ndarë për disa çaste”, thotë Reg Green, duke kujtuar natën kur të birin ia qëlluan në mënyrë të pakuptimtë me armë zjarri disa persona të panjohur në jug të Italisë.

“Pastaj, shumë shpejt, vetura ɗlloi të na parakalonte. Aty për aty u qetësova, duke kujtuar se parandjenja nuk qe e saktë.”, thotë ai.

Mirëpo, në vend që të bënte përpara, vetura tjetër vazhdoi të ecte përkrah tyre. Green dhe e shoqja, Maggie, dëgjuan britma zemërimi. E morën me mend se njerëzit brenda saj donin që ata ta ndalonin veturën.

“Mendova se, nëse do të ndalonim, do të ishim tërësisht në mëshirën e tyre, prandaj i dhashë më shumë gaz. Edhe ata bënë të njëjtën gjë, kështu që të dyja veturat bënë një garë paralel njëra-tjetrës, në mes të errësirës.

Dritarja e pasme u shkërmoq nga një plumb. Maggie ktheu kokën dhe iu duk se të dy fëmijët po bënin gjumë të thellë”, thotë Green, shkruan “BBC”.

Në fakt, Nicholas-in plumbi e kishte marrë në kokë, ndërsa e motra Eleanor po inte e patrazuar. Pak sekonda më pas, u thye edhe xhami i dritares së shoferit dhe vetura tjetër u largua me shpejtësi.

“Ndalova makinën dhe dola. Atëherë u ndez drita e kabinës, por Nicholas nuk lëvizi. Iu afrova dhe vura re se gjuha i varej pak jashtë ndërsa në mjekër kishte një gjurmë të vjellë.

Aty e kuptova se kishte ndodhur diçka e tmerrshme,” thotë Green, 88 vjeç, i cili ka shkruar një libër të titulluar “Efekti Nicholas”, lidhur me këtë përvojë.

Ngjarjet e asaj nate janë përshtatur në vitin 1998 në një filom Hollivudi të titulluar “Nicholas’ Gift”, me aktorë kryesorë Jamie Lee Curtis dhe Alan Bates.

“Tronditja që pësova kur e pashë ashtu është çasti më i tmerrshëm i jetës sime. Kur e kuptova se e kishte marrë plumbi, m’u përmbys e gjithë bota. Grabitësit qëllojnë një shtatëvjeçar,” shkruante “the Times”.

Pushimet e një familjeje amerikane qenë kthyer kështu në një makth. Nicholas do të vdiste pas disa ditësh në spital, duke mos dalë nga koma.

Por përpara se të ndërronte jetë, prindërit e tij morën një vendim i cili do t’ua ndryshonte jetën shtatë familjeve në mbarë Italinë. Ata vendosën t’ua dhuronin organet e të birit shtatë personave në nevojë për transplant.

“Në atë çast, ata njerëz nuk qenë veçse abstraksion. Nuk mund ta dije se çfarë njerëzish qenë. Ishte njësoj sikur t’i jepje lëmoshë dikujt, por pa e ditur fare se si do ta ndihmonte kjo gjë tjetrin. Pas katër muajsh, na ftuan të ktheheshim dhe të njiheshim me të gjithë në Sicili, prej nga qenë katër prej përfituesve”.

“Në Itali kriminelët shumë rrallë vrasin fëmijë, thotë Green, sepse në një rast të tillë policia u qepet këmba-këmbës gjersa t’i gjejë.

Kështu ndodhi edhe në rastin e Nicholas-it. Një hetim i gjithanshëm policor çoi në arrestimin dhe dënimin me burg të Francesco Mesiano dhe Michele Iannello.

Ende nuk dihet mirë nëse qenë hajdutë apo vrasës me pagesë të cilët kishin gabuar person. Fakti se njërin prej tyre në gjyq e mbronte një prej avokatëve më të njohur të Italisë, për Green do të thotë se kishin lidhje me mafian.

“Nicholas qe zemërmirë. Ai shikonte gjithmonë anën e mirë të gjërave, prandaj të gjithë ata që i ndodheshin pranë tregonin më të mirën”, shpjegon i ati.

“E pranoj se një shtatëvjeçar me shumë gjasë nuk do ta kishte kuptuar vendimin tonë, por e di se kur të rritej ai do të kishte qenë dakord me ne. Për këtë nuk kam asnjë dyshim.

Nëse do të ndodhej përpara mundësisë për të qenë i zemëruar me personat që kryen këtë gjë dhe mundësisë për të ndihmuar dikë tjetër, padyshim që ai do të kishte zgjedhur këtë të dytën. Nicholas më ka mësuar shumë për durimin, për shembull”, shton Green, i cili më së shumti ka punuar si gazetar përpara se të vendosej në SHBA ku hapi familje me të shoqen Maggie.

“Unë nuk kam durim shumë dhe kur përballem me probleme, nxehem. Nicholas rrethohej nga një qetësi dhe dashamirësi që të bënte edhe ty të silleshe njësoj si ai.”

Për Green çasti kur u gjend ballë për ballë me njerëzit të cilëve organet e Nicholas-it u kishte shpëtuar jetën qe i papërballueshëm.

“Kur u hap dera dhe të gjashtë hynë në dhomë, efekti qe i papërballueshëm,” thotë ai, duke shtuar se njëri prej përfituesve nuk qe i pranishëm për shkak se ndodhej i sëmurë në spital.

“Kush kishte buzën në gaz, kush i kishte sytë me lot, kush mezi e ngrinte kokën nga ndrojtja, ama të gjithë qenë gjallë. Shumica e tyre pat qenë në prag të vdekjes. Aty e kuptova për herë të parë se sa i rëndësishëm pat qenë vendimi ynë.

Gjithashtu, qeshë në gjendje të kuptoja sa e rëndë do të kishte qenë vdekja e tyre për prindërit dhe gjyshërit e tyre. E kuptova se këtu bëhej fjalë për shumë më shumë njerëz të tjerë jeta e të cilëve do të kishte qenë shumë më e mjerë sikur të mos t’i kishim shpëtuar ata fëmijë.”

Green dhe e shoqja Maggie, të cilët janë martuar në prill 1986, qenë të vendosur që Eleanor të mos rritej fëmijë i vetëm. Pas tragjedisë, atyre u lindën edhe dy binjakë, Laura dhe Martin, të cilët mbushin 21 vjeç në maj. Si ka ndikuar në jetën e Green-it vdekja e të birit?

“Kam një brengë që nuk më shqitet kurrë nga shpirti, një brengë që nuk e kam pasur kurrë më parë. Kurrë më nuk kam ndier lumturi të plotë. Edhe në çastet më të gëzuara, mendoj: ‘Sikur të ishte edhe Nicholas këtu!'” Por l’e ffetto Nicholas – efekti Nicholas – është një e mirë që doli nga kjo fatkeqësi.

“Më duket sikur sa herë që del ndonjë lajm në gazetë, televizor apo radio, do të jetë dikush nga lexuesit, shikuesit apo dëgjuesit të cilit do t’i duhet ta marrë këtë vendim. Sikur të mos kenë dëgjuar apo menduar për faljen e organeve më parë, gjasat më shumë janë që të thonë ‘jo’”.

Green kthehet dy herë në vit në Itali për të bërë ndërgjegjësim për dhurimin e organeve. Herën e fundit u njoh me Maria Pia Pedala-n, e cila qe në koma me kolaps mëlçie ditën kur vdiq Nicholas dhe pritej të vdiste, por shpejt e mori veten pas transplantit të mëlçisë.

Pas dy vjetësh ajo u martua dhe dy vjet më pas lindi një fëmijë mashkull, të cilit ia vuri emrin Nicholas, pas të cilit i lindi edhe një vajzë, Alessia. Të tre udhëtuan nga Sicilia – ku dhurimi i organeve në vitin 1994 thuajse nuk njihej fare, thotë Green – për të marrë pjesë bashkë me të në një program televiziv në Milano.

Green thekson se edhe përfituesi i zemrës së Nicholas-it, Andrea Mongiardo, i cili ndërroi jetë më herët sivjet, e mbajti organin në trup tri herë më gjatë se vetë Nicholas. Por, për të, trashëgimia e të birit shkon përtej shtatë personave që morën organet e Nicholas-it.

Shkallët e dhurimit të organeve u rritën në mënyrë të vrullshme pas vdekjes së Nicholas-it, thekson ai, dhe vijojnë të rriten. E kështu, thotë ai, me mijëra njerëz janë sot gjallë, të cilët përndryshe do të kishin vdekur, përcjell “Tema”.

SHKARKO APP