Në Indonezi mund të bëhen police vetëm femrat e virgjëra
Psikologia, e cila punon në polici dhe e cila i është nënshtruar testimit në fjalë për punësimin, deklaroi për HRW se më pas ka luftuar që ky lloj testimi të ndalohet, por kolegët e saj kanë kundërshtuar një kërkesë të tillë.
“A dëshirojmë që prostitutat të na bashkohen në polici?” ishte përgjigjja e tyre, thotë komisionerja e Lartë e policisë së shtetit Sri Rumiati. Gratë janë të detyruara të bëjnë testimin për të provuar se nuk janë të martuara dhe se kanë një karakter të mirë. Me këtë rast gratë e martuara nuk mund të jenë pjesëtare të forcave policore në Indonezi. “E dua institucionin tim. Dua që policia e shtetit të veprojë në përputhje me ligjin”, ka deklaruar Rumiati, “por si policia e shtetit mund të zbatoj ligjet indoneziane kur vetë institucioni nuk i respekton ligjet e vendit?”
Aktivistja për të drejtat e grave në një intervistë për AA, të martën tha se testimi i policeve shkel të drejtat e njeriut dhe se duhet të ndalet. “Është e çuditshme se kjo është ende duke ndodhur në epokën e qeverisë, e cila mbështet të drejtat e njeriut dhe të grave”, ka thënë Budi Mulyani, drejtoresha e Institutit për ndihmë juridike në Shoqatën indoneziane në rajonin Yoguakarta, duke shtuar se policia nuk mbron të drejtat e grave.
HRW këtë lloj testimi e ka quajtur si “praktikë diskriminuese e cila shkel dhe poshtëron gratë”. Ata u bënë thirrje autoriteteve policore në Xhakarta që menjëherë të ndalin testimet të tilla në qendrat administrative për punësim në mbarë vendin.
Organizata HRW ka publikuar biseda me pjesëtaret e policisë, si dhe me ato që kanë aplikuar dhe kaluan procedurën për punësim. Të gjitha policet e kanë përshkruar si të dhimbshme dhe traumatike. Njëra nga ato, policja 18-vjeçare, e cila vitin e kaluar aplikoi për vendin e punës në një bisedë me HRW tha se atëherë i është thënë që do të kalojë vetëm “ekzaminimin e brendshëm”.
Policja shtoi se “nuk ka mundur të kundërshtojë sepse nuk do të ishte pranuar në polici”. Më pas ka përshkruar se kandidateve ju është thënë të hyjnë në një dhomë dhe të shtrihen. Është ndjerë e poshtëruar dhe e frikësuar pas asaj që pasoi, shtoi ajo. “Disa prej nesh humbëm ndjenjat nga stresi”, ka thënë policja e cila i është nënshtruar testit.
Nga HRW pohojnë se testimi fyes kryhet edhe në vendet tjera – Indi, Egjipt dhe në Afganistan. Organizata po ashtu ka kritikuar edhe kryerjen e testit të njëjtë nëpër shkollat e Indonezisë. Mulyani përfundoi se rezultatet e testimit nuk mund të jenë tregues të moralit të një gruaje, sepse virgjëria mund të humbet “në mënyra të ndryshme – me dhunë seksuale apo në ndonjë aksident gjatë fëmijërisë”.