Nëse doni të bëheni pasanikë, mos ndiqni shembullin e Bill Gates
Bill Gates është më fatlum nga ç’mendon se është. Sigurisht është i talentuar dhe punëtor, por suksesi i tij na tregon për rëndësinë e rrethanave në të cilat u lind dhe se si aftësitë dhe mundi i tij u vlerësuan pikërisht prej tyre.
Shpeshherë mendojmë se njerëzit e jashtëzakonshëm janë tepër të aftë ose të talentuar. Ky mendim është i cen. Njerëzit e jashtëzakonshëm formësohen nga rrethana të jashtëzakonshme. Më të pasurit e më të suksesshimt arritën këtë status quo ngaqë ishin në vendin e duhur, në kohën e duhur. Këta persona quhen të jashtëqëndrueshmit, arritjet e tyre ndodhën jashtë sistemit ku jetojnë gjithë të tjerët.
Shumë e trajtojnë Bill Gates-in si një shembull suksesi, si një person që duhet vlerësuar. Hamendësimi se ai dhe njerëz të tjerë të suksesshëm si ai, arritën aty ku janë vetëm me anë të performancës së tyre është një zhgënjim i madh. Edhe nëse do të bëje çdo gjë që bëri Gates, në të njëjtin rend e mënyrë, sërish nuk do të kishe të njëjtën pasuri si ai.
Le ta thjeshtësojmë konceptin me një shembull. Familja e pasur e Gates-it dhe edukimi i tij privat, e çuan atë disa hapa para moshatarëve të vet. Ai bënte pjesë në 0.01% e brezit të tij që kishte akses në kompjuterat e kohës. Njohja e nënës së tij me drejtorin e IBM i siguroi Gates-it një kontratë nga perandoria e atëhershme kompjuterike. Ky hap ishte jetësor për kompaninë e tij të ardhshme.
Shumica e përdoruesve të kompjuterëve IBM duhet të mësonin të operonin software-in Microsoft që vinte me të. Kjo krijoi një lloj inercie në favor të Microsoft-it. Edhe nëse ndërronin produkt, këta klientë në të ardhmen zgjidhnin sërish Microsoft, jo sepse ishte më i miri, por sepse dinin ta përdornin tashmë.
Sidoqoftë, dikush mund të thotë se njerëz të suksesshëm si Gates, i fituan aftësitë e tyre falë punës, motivimit dhe pasionit. Si rrjedhim, nuk duhen vlerësuar më pak nga ç’meritojnë. Disa sugjerojnë se talenti i Gates-it erdhi falë 10,000 orëve praktikë duke mësuar si të programonte gjatë kohës që ishte adoleshent.
Në rastin e suksesit mesatar ose të moderuar, ky qëndrim është funksional. Fati ndihmon ata që përpiqen, kjo është e vërtetë. Për të kaluar në sukses madhor ama, është tjetër çështje. Duhet të jesh në vendin e duhur, t’i paraprish asaj që i nevojitet më shumë zonës. Të jesh në kohën e duhur, ose thjesht fat. Këto dy faktorë janë shpeshherë më të rëndësishëm sesa puna dhe talenti dhe janë arsyeja kryesore pse shembulli i Bill Gates, apo kujtdo, nuk duhet ndjekur.
Burimi: BBC