Njëmbëdhjetë të plagosur pasi një ari i murrmë sulmon nxënës dhe mësues në Kanada

Njëmbëdhjetë persona u plagosën, dy prej tyre në gjendje kritike, kur një ari i murrmë sulmoi një grup nxënësish dhe mësuesish në një shteg ecjeje në Kolumbinë Britanike, Kanada. Sulmi ndodhi të enjten në Bella Coola, 700 kilometra në veriperëndim të Vankuverit. Kombi Nuxalk tha se “ariu agresiv” është ende i lirë dhe policia së bashku me rojet e natyrës ndodhen në vendngjarje.

“Jemi të shkatërruar për individët dhe familjet e prekura nga incidenti me ariun,” tha në një deklaratë shefi i Kombit Nuxalk, Samuel Schooner. “Të gjithë individët e përfshirë po marrin mbështetje mjekësore dhe prioriteti ynë është të sigurohemi që ata janë të sigurt.” Kombi gjithashtu bëri të ditur se oficerët janë të armatosur dhe po patrullojnë komunitetin, ndërsa roje të tjera të natyrës po i drejtohen zonës. Banorët u këshilluan të qëndrojnë brenda dhe u organizua një shërbim transporti për të shmangur lëvizjen e tyre.

Zëdhënësi i shërbimeve emergjente shëndetësore, Brian Twaites, konfirmoi se dy persona janë në gjendje kritike dhe dy të tjerë kanë lëndime serioze, ndërsa të tjerët u trajtuan në vendngjarje. Bella Coola, një komunitet me rreth 2,100 banorë, ndodhet në një zonë të largët ku arinjtë grizli janë një pamje e zakonshme. Veronica Schooner, nëna e një prej fëmijëve, tha se një mësues “përballoi pjesën më të madhe të sulmit” dhe ishte mes të plagosurve të transportuar me helikopter. Djali i saj 10-vjeçar, Alvarez, ishte aq afër kafshës sa “i ndjeu edhe gëzofin”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ajo shtoi se disa fëmijë u prekën nga sperkati kundër arinjve ndërsa mësuesit luftonin me ariun. Djali i saj, megjithatë, ishte i shqetësuar për miqtë e tij. “Ai vazhdon të qajë për miqtë e tij dhe nisi menjëherë të lutej për ta,” tha ajo. Shkolla Acwsalcta, e drejtuar nga Kombi Nuxalk, njoftoi se do të mbyllej të premten dhe se do të ofrohej këshillim psikologjik për nxënësit dhe stafin. Arinjtë grizli kanë një rëndësi të thellë kulturore për Kombin Nuxalk dhe komunitetet e tjera indigjene në rajon.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?