Nuk ju pëlqen diçka në Facebook? Së shpejti mund të ankoheni në “Gjykatë”
Pas skandalit ku dolën të dhënat e miliona përdoruesve, Facebook ka marrë masat që të mos ndodhë më një gjë e tillë.
Facebook do të krijojë një bord mbikëqyrës me 11 deri në 40 anëtarë që do të shqyrtojë ankesat si dhe do bëjë rekomandime për ndryshime. Kjo do të ketë formën e një “Gjykate”.
Vetë themeluesi Mark Zuckerberg bëri një njoftim në Facebook ku njoftoi për të rejat që do të ketë platforma sociale.
“Nëse dikush nuk pajtohet me një vendim që kemi marrë, ai mund të apelojë para nesh dhe së shpejti do të jetë në gjendje të apelojë më tej në këtë bord të pavarur. Vendimi i bordit do të jetë i detyrueshëm, edhe nëse unë apo një anëtar i stafit të Facebook nuk pajtohet me të”, shkruajti Mark.
Ndër të tjera, bordi do të kujdeset për përmbajtje që konsiderohen të papërshtatshme.
Kjo risi e Facebook do të nisë që në gjysmën e parë të vitit 2020.