A mund të ndihmojë oksitocina, “hormoni i dashurisë”, të riparojë indin e zemrës pas lëndimit?
Kjo është pyetja themeltare që shtron një qasje e re shkencore, e cila përkon me një botë gjithnjë e më të mbingarkuar nga zemërkrisjet, lëndimet, vuajtjet dhe trazimet. Në themel të saj, qëndron ndjenja – jo vetëm si metaforë, por si mekanizëm biologjik.
Oksitocina, e njohur zakonisht si “hormoni i dashurisë” apo “i përqafimit”, nuk është thjesht një ndërmjetës i lidhjeve emocionale, por edhe një faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e zemrës. Një studim i ri, i publikuar në Frontiers in Cell and Developmental Biology, zbulon se ky hormon i prodhuar nga truri mund të ndihmojë në rigjenerimin e indeve të zemrës pas një dëmtimi – të paktën në eksperimente me zebrafish dhe qeliza njerëzore në laborator.
Një shpresë e re për zemrën e lënduar
Zemra e njeriut ka një aftësi shumë të kufizuar për t’u rigjeneruar pas dëmtimit. Kur ndodh një atak në zemër, shumica e qelizave muskulore të zemrës (kardiomiocitet) që vdesin nuk zëvendësohen, gjë që çon shpesh drejt dështimit kronik të zemrës. Por studimi i ri sugjeron se oksitocina mund të nxisë qelizat epikardiale (ato që rrethojnë zemrën) të rikthehen në një gjendje më “burimore”, duke u shndërruar në qeliza të afta për të krijuar kardiomiocite të reja.
Në zebrafish – një specie e njohur për aftësinë e jashtëzakonshme të rigjenerimit – shkencëtarët zbuluan se pas dëmtimit kardiak, truri i tyre prodhonte deri në 20 herë më shumë oksitocinë sesa normalisht. Ky hormon udhëtonte drejt zemrës dhe aktivizonte procesin e rigjenerimit. Edhe pse te njerëzit ky mekanizëm është shumë më i kufizuar, rezultatet e para në kulturat qelizore tregojnë se oksitocina mund të ketë efekte të ngjashme.
Më shumë se hormon i dashurisë
Tradicionalisht, oksitocina lidhet me intimitetin, përqafimin, seksin, lindjen dhe laktacionin. Por përtej këtyre roleve, ajo mbron sistemin kardiovaskular, ul presionin e gjakut, redukton inflamacionin dhe lufton dëmtimet oksidative. Studimi i ri shton një dimension tjetër: potencialin e saj për të rindërtuar zemrën e lënduar.
Shpresa dhe sfida
Autorët e studimit theksojnë se këto rezultate janë ende në fazë shumë të hershme. Deri tani, efektet janë parë vetëm te kafshët dhe qelizat në laborator, jo te pacientët. Megjithatë, ideja që oksitocina ose molekula të tjera që aktivizojnë receptorët e saj mund të përdoren një ditë për të trajtuar pacientët pas një ataku në zemër, përfaqëson një shteg të ri premtues për mjekësinë rigjenerative.
“Hapi i radhës është të shohim se si oksitocina funksionon tek njerëzit pas dëmtimit kardiak”, thotë Aitor Aguirre, profesor në Universitetin Shtetëror të Miçiganit. “Për të ecur përpara, na duhen prova para-klinike në kafshë dhe prova klinike tek njerëzit.”
Live Science
Përgatiti: Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

