Piloti vdes gjatë fluturimit, tmerr për 148 pasagjerë
Lajmi për vdekjen e pilotit të 'American Airlines' gjatë fluturimit ka qenë më i lexuari në mediat e huaja dhe ka shkaktuar ankth për familjarët e 148 pasagjerëve.
Piloti i një avioni të nisur nga Fenix, Arizona drejt Bostonit u ndje keq dhe ndërroi jetë në kabinën e pilotimit.
Avioni Airbus A320 me 148 pasagjerë në bord dhe 5 anëtarë ekuipazhi shpëtoi mrekullisht falë uljes së bërë nga ndihmës-piloti në Sirakuzë, Nju Jork.
Piloti 57-vjeçar nga Jutah u shpall i vdekur pak minuta pas uljes së detyruar të avionit. Ende nuk dihet shkaku i qartë i vdekjes së tij.
Në regjistrimin e avionit dëgjohet zëri i ndihmëspilotit që kërkon ndihmë mjekësore.
“Urgjencë mjekësore, piloti është në gjendje të rëndë”, thotë ai dhe më pas kërkon sugjerime për të kryer një ulje të detyruar.
Fjalët e tij kanë shkaktuar tmerr dhe panik te pasagjerët që fatmirësisht kanë shpëtuar nga tragjedia falë aftësive të ndihmëspilotit.
Frika e pasagjerëve dhe kullës së kontrollit ishte mos ndodhte një skenar i ngjashëm me avionin e përplasur nga Andreas Lubitz në alpet franceze ku vdiqën rreth 150 pasagjerë.