Priten 3 miliardë udhëtime për festën e Vitit të Ri Kinez

Sivjet, Festa e Pranverës ose  Viti i Ri Kinez bie më 25 janar sipas kalendarit bujqësor. Ndërkohë, fluksi i udhëtarëve gjatë Festës nis nga 10 janari dhe përfundon më 18 shkurt.

Parashikohet që gjatë periudhës 40 ditore, banorët kinezë do të bëjnë 3 miliardë udhëtime në total, 2.43 miliardë e të cilave me automjete, 440 milionë me tren, 79 milionë në rrugë ajrore dhe 45 milionë në rrugë detare.

Si lëvizja më e madhe periodike e popullsisë në botë, fluksi i udhëtarëve jo vetëm pasqyron etjen e kinezëve për t’u ribashkuar me familjen në fund të një viti, por gjithashtu përbën edhe një “sfidë të përvitshme” për aftësinë e sektorëve të transportit madje edhe atë të autoriteteve kineze për qeverisjen e shoqërisë.

Siç mësohet nga Komisioni Shtetëror i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës, kapaciteti i transportit hekurudhor do të ngrihet me 7% gjatë Festës, aviacioni civil do të garantojë ulje-ngritjet e 704 mijë aeroplanëve, 790 mijë autobusë do të ofrojnë njëherësh 23.1 milionë vende, ndërkohë, 19 mijë anije do të ofrojnë 830 mijë vende pasagjerësh.

Për t’u ofruar udhëtarëve një përvojë më cilësore udhëtimi, sektorët kinezë të transportit po marrin masa të ndryshme për të ngritur efektivitetin e punës.

Për shembull, Aeroporti Ndërkombëtar “Daxing” hyri në funksion, duke përsosur më tej rrjetin e transportit kompleks rajonal të Pekin-Tianjin-Hebei. Mbi 10 linja të reja hekurudhore për trena me shpejtësi janë vënë në përdorim, duke përmbushur kërkesat e shtuara gjatë festës.

Në të gjitha autostradat janë hequr pikat tarifore dhe drejtuesit e automjeteve mund të kalojnë drejtpërdrejt me bërjen e pagesës elektronike automatike. Në shumë linja hekurudhore, shiten biletat elektronike, me anën e të cilave, udhëtarët mund të futen në tren vetëm me një kartë identideti ose duke skanuar kodin QR (Quick Response Code) në celular.

Bëhet e ditur se, qeveritë vendore të Kinës do të inkurajojnë pjesëmarrjen e më shumë ndërmarrjeve në ofrimin e shërbimeve të transportit inteligjent, duke realizuar menaxhim të përsosur në bazë të vëzhgimit bashkëkohor të lëvizjeve të udhëtarëve, të qarkullimit rrugor dhe fluksit në pikat turistike. /CRI

 

SHKARKO APP