Profesori i mikrobiologjisë tregon si mund ta kalojmë lehtë situatën me koronavirusin

Prof. Kristaq Sini pedagog i mikrobiologjisë ushqimore dhe higjienës në Universitetin Bujqësor të Tiranës ishte i ftuar në studion e ABC News.

Prof. Sini u shpreh se ka një shpresë që në Shqipëri koronavirusin mund ta kalojnë pak më lehtë se vendet e tjera për disa shkaqe.

Po ashtu Sini tha se në këtë periudhë luan rol të rëndësishëm mënyra e ushqyerjes e cila duhet të jetë e shumëllojshme dhe me sasi të kontrolluar.

“Do thoja që kam ndjekur me shumë vëmendje gjithçka ka ndodhur që kur u përhap në Wuhan. Në lidhje me këto ngjarje që kanë ndodhur, dhe këtu e theksoj që në fillim, janë shumë të drejta, dhe janë marrë disi në kohë. Po të kujtojmë kohën e kolerës, edhe atëherë izoloheshin me tu identifikuar rasti i parë.

Me rastin e kolerës Robert Kohen, zbuluesi i vibrionit të kolerës, vuri re që sëmureshin shumë persona me kolerë por që vdisnin vetëm ata që kishin patur probleme gastroenterite, pra të stomakut dhe zorrëve. Në rastin e murtajës vdiste kushdo që prekej, por erdhi një moment që u ndërpre vetë. Pra mbaroi i vdekuri i fundit dhe nuk preku më atë pjesë tjetër të popullatës.

Mikroorganizmat i kemi përreth dhe ato zhvillohen aty ku gjejnë mundësinë, zhvillohet aty ku gjen kushtet për tu zhvilluar prandaj jo të gjithë i zë gripi, jo të gjithë i zuri murtaja, apo kolera. U ndërpre aty ku njerëzit nuk ishin më me problemet shëndetësore.

Kanë dalë zëra që thonë se shqiptarët kanë imunitet dhe nuk i zë koronavirusi. Imuniteti krijohet pasi je ndeshur me një agjen biologjik siç është virusi në rastin konkret, formohen antitrupat e gjithçka tjetër në organizëm. Sistemi tretës nuk janë thjesht anti-korpet, qelizat e bardha të gjakut etj por është metabolizmi normal i çdo qelize të organizmit.

Kur organizmi zhvillohet me metabolizmin normal të tij dhe jo me defekte, atëherë ai është i shëndetshëm. Aty ku është i shëndetshëm ka edhe PH e qelizave ku nuk pëlqen virusi të zhvillohet, ndaj njerëzit e shëndetshëm preken më pak”.

Ky virus ka kaluar nga kafshët te njeriu, deri vonë 75 % e popullsisë në Shqipëri ka jetuar në fshat, a mendoni se njerëzit në fshat ngaqë jetojnë me kafshët e kanë më të lehtë ta kalojnë? A mund ta themi këtë?

“Jo, mos të tregohemi trima kot. Është një mikroorganizëm i ri që e ka frikë e gjithë bota. Higjienën duhet ta ruajmë patjetër. Edhe në Itali, vdekjet kanë qenë tek ato persona në moshë të kaluar, dhe në ata që kanë patur probleme shëndetësore.

Pra që nuk kanë patur zhvillimin metabolik normal. Këta persona duke qenë edhe të vjetër, metabolizmi ka filluar të bjerë e të degjenerojë pak nga pak në këto mosha. Nuk kemi ndarje se si e jetojnë fshati dhe qyteti, varet nga mënyra e të ushqyerit.

Është llojshmëria e ushqimit. Unë rekomandoj që qytetarët të ushqehen me gjëra të stinës, dhe të fushës, jo të serave. Gjithashtu të përdoresh edhe ato ushqime alkaline si limoni, portokalli etj. Duhet qëndruar sa më larg ushqimit të konservuar.

Gjithashtu duhet të hanë 2 herë në ditë, sasia e tepërt e ushqimit krijon probleme në organizëm.

Dua të them diçka tjetër ky virus nuk shkon deri në aparatin tretës por deri në mushkëri.

Ne kemi patur kulturë higjienike më të pakët se sa shtetet e tjera evropiane dhe kjo bën që të kemi popullata të ndryshme mikroorganizmash. Këto mikroorganizma të popullatave të ndryshme bëhen konkurrente dhe nuk lejojnë një mikroorganizëm tjetër që të zhvillohet në ekosistemin e tyre. Ekosistemi i tyre është goja”, tha Sini.

SHKARKO APP