Pse ‘fake news’ dhe konspiracionet përhapen më shumë se koronavirusi?
Coronavirus vazhdon të përhapet dhe shkencëtarët projektojnë se sa njerëz ka të ngjarë të infektohen. Është e thjeshtë të imagjinohet se përmasat e coronavirus do rriten akoma më shumë.
Në mënyrë të parashikueshme, teoritë e komplotit për koronavirus janë përhapur së bashku me vetë virusin. Mijëra llogari në media sociale të lidhura me Rusinë pretendojnë se SH.B.A. krijoi koronavirusin për të “zhvilluar luftë ekonomike kundër Kinës”, dhe një senator amerikan përsëriti një thashethem se virusi e ka origjinën në një laborator kinez bio- armësh dhe jo në një treg të gjësë së gjallë.
Dhe ky është problemi: lufta e klikimeve në media sociale dhe transferimi i medias së shkruar në media online, kanë bërë që teoritë e konspiaracionit të përhapen edhe më shpejt.
Ndërsa virusi mund të përhapet vetëm me kontakt të drejtpërdrejtë, konspiracionet mund të përhapen pa kontakte të drejtpërdrejta. Informacioni dikur udhëtonte nga një person në tjetrin, siç bëjnë sëmundjet, por sot mjetet e komunikimit masiv mundësojnë që disa individë të përhapin teoritë e komplotit shumë gjerë. Kushdo që ka një kolonë gazete, shfaqje radio ose llogari në Twitter me një shikueshmëri të madhe, mund ta përhapë një lajm të rremë në një numër të jashtëzakonshëm njerëzish.
Njerëzit që përhapin teoritë e komplotit nuk janë përcjellës pasiv. Për dallim nga bartësit e një sëmundje, ata në mënyrë aktive kërkojnë t’i përhapin konspiracionet. Ndërsa viruset mund të vrasin, teoritë e komplotit, kur përhapen qëllimisht nga aktorë të fuqishëm, mund të shkaktojnë një lloj tjetër dëmi: ato gërryejnë përgjegjësinë politike. Në këtë mënyrë, teoritë e komplotit mund të armatosen për të dobësuar trupin politik, sikur virusi dobëson trupin fizik të një njeriu.
Coronavirus ka shumë elementë që e bëjnë atë material kryesor për përhapjen e teorive të komplotit. Të padukshme për syrin e lirë, viruset prej kohësh shkaktojnë frikë dhe panik. Shtuar këtu dhe gjeopolitikën: Ndikimi ekonomik dhe politik në rritje i Kinës është tashmë një burim ankthi midis fqinjëve dhe vendeve rivale. Pyetja klasike e një entiteti që përhap teori konspiracioni është: Kush përfiton nga kjo? Dhe në rastin e koronavirusit, ka shumë që mund të përfitojnë nga gjendja e rëndë e Kinës.
Në një epokë të lidhjes ekstreme online, ne jemi të ekspozuar ndaj teorive të konspiracionit më shumë se kurrë dhe jemi gjithashtu të prekshëm nga manipulimet. Teoritë e komplotit të promovuar për përfitime politike nuk vrasin ashtu si bëjnë viruset, por duke infektuar diskursin publik me ide të rreme ose të dëmshme, ata e bëjnë më të vështirë për qytetarët që të konstatojnë të vërtetën dhe t’i mbajnë përgjegjës politikanët për gabimet e tyre. Dhe ndryshe nga organizmat biologjikë që shkaktojnë sëmundje vetëm për shkak të nevojës së tyre për të mbijetuar, njerëzit që me vetëdije promovojnë teori konspirative e bëjnë këtë me qëllimin e vetëm për të dobësuar marrësin.
Burimi: SCAN