“Qyteti i ëndrrave” njihuni me qytetin me studiot më të mëdha kinematografike të Europës
Cinecitta është qyteti i kinemasë italiane, dhe cilësohet si një qytet brenda kryeqytetit Romë.
Në qytetin e Kinemasë Italiane, Cinecittà, ndodhen studiot më të mëdha kinematografike të Europës, e produksioni më i madh i kinemasë botërore pas Hollywood.
Brenda hapësirës së tij prej mbi 400 mijë metra katrorë, gjen ndërtesa të çdo epoke, vendbanime antike, rrugë, sheshe, monumente historike, pallate, shtëpi, harqe, obeliskë, stadiume, skulptura gjigante, personazhe mitologjike, objekte arkeologjike, materiale militare, simbole qytetërimi, kulte fetare, anije luftarake, male me akull, madje dhe një pishinë natyrore që shndërrohet në “oqean”.
Gjithçka ngjan kaq e vërtetë dhe pse është ndërtuar me polisterol e karton.
Mjeshtëria e arkitektëve dhe punonjësve që e kanë realizuar e që punojnë çdo ditë për t’i dhënë jetë, është impresionuese.
21 teatër skene, 71 ndërtesa, 400 dhoma aktorësh, e dhoma truku, magazina, salla, kostume, skenografi, efekte vizive, sheshe xhirimi të përhershme e të përkohshme, 676 pemë, një mega pishinë natyrore që mund të mbaj mbi 13 mijë metra kubë ujë, një ekip profesionistësh produksioni e post produksioni, i kanë dhënë jetë deri më sot mbi 3000 filma të realizuar, 90 kandidatura Oscar e 47 statuja Oscar të fituara për filma të xhiruar në këtë qytet.
“Qyteti i ëndrrave” siç e quante regjisori i madh Frederik Fellini ka mbushur sivjet 84 vite nga krijimi i tij.
Më 28 prill 1937, regjimi italian i asaj epoke e vetë Benito Mussolini, inauguron studiot e para të Cinecittà, me teknologjitë e laboratorët më modernë të kohës.
Brenda dy viteve, më 1939, në këtë qytet kinemaje ishin realizuar 50 filma të suksesshëm.
Filmi i parë kolosal i realizuar në Cinecittà është “Ben Hur” i 1953, i regjizorit, W. Wyler.
U deshën 7 muaj punë, 400 persona,10 mijë figurantë e 75 kuaj të sjellë nga Jugosllavia.
Aktualisht brenda qytetit të Kinemasë italiane është ngritur një ekspozitë muze, e përhershme, dedikuar këtij regjisori, e homazh në 100 vjetorin e lindjes së tij.
Muzeu është një udhëtim në veprat e botës imagjinare artistike të Federiko Fellinit, fiutes i një çmimi Oscar, 12 herë kandidat për çmimin Oskar, fitues i 6 çmimeve “Davide Donatello”, e fitues i çmimit European Film Awards.
Këtu Felini realizoi filmat si “La dolce vita” më 1959, Casanova, Amarcord etj.
Qyteti i Kinemasë italiane ofron dhe projekte e ndërtime skenografike, post produksione dixhitale, produksione virtuale, restaurime audio e shërbime mediatike për industrinë e Kinematografisë.
Studiot e Cinecittà vihen në dispozicion dhe për transmetimin e programeve të sukseshme televizive si dhe të reality show si “Big Brother”, apo për realizmin e filmave e serialeve të ndryshëm televizivë.
Pas disa vitesh në menaxhim privat, prej vitit 2017, studiot kinematografike të Cinecittà, janë kthyer në kontrollin publik, nën drejtimin e Institutit Luce-Cineci. /Ora News