Shpërthimi i rrallë në hapësirë

Është fotografuar një fenomen i rrallë në kozmos. Bëhet fjalë për një shpërthim plazme të çliruar nga një galaktikë të klasifikuar si Quasar, një bërthamë galaktike aktive dhe burim energjie I pashtershëm.

Me siglën 3C279, ky Quasar ndodhet në yjësinë e Virgjëreshës dhe qendra e tij pëson një shkëlqim ekstrem kur sasi shumë të mëdha gazrash dhe yjesh përpihen nga vrima e zezë në të, që ka një masë një miliardë herë më të madhe sesa të diellit. Më pas një pjesë e këtyre gazrave çlirohet në dy shpërthime plazme me pothuajse shpejtësinë e dritës.

Sipas ekspertëve ky moment i fotografuar është mjaft i rëndësishëm, pasi do të shërbejë për studimin dhe për të patur më shumë informacione mbi natyrën dhe proceset fizike në thelb të këtyre burimeve të jashtëzakonshme të energjisë, që shpërndahen e udhëtojnë me miliona vite drite.

Kjo foto është fryt i punës së 8 teleskopëve të ndryshëm të një teknologjie shumë të avancuar, të cilët punojnë të sinkronizuar në bazë të teknikës interferometri, si të ishin një teleskop i vetëm me përmasat e Tokës.

SHKARKO APP