Si janë ndërtuar Piramidat e Egjiptit? – Shkencëtarët mendojnë se kanë zgjidhur misterin

Shkencëtarët besojnë se mund të kenë zgjidhur misterin se si 31 piramida, përfshirë kompleksin me famë botërore të Gizës, u ndërtuan në Egjipt më shumë se 4000 vjet më parë. Një ekip hulumtues nga Universiteti i Karolinës së Veriut ‘Wilmington’ ka zbuluar se piramidat mund të jenë ndërtuar përgjatë një dege të lashtë të lumit Nil, e cila tani është e fshehur nën shkretëtirë.

Për shumë vite, arkeologët kanë menduar se egjiptianët e lashtë duhet të kenë përdorur një rrugë ujore aty pranë për të transportuar materiale të tilla si blloqet e gurit, të nevojshëm për të ndërtuar piramidat. Por deri më tani, “askush nuk ishte i sigurt për vendndodhjen, formën, madhësinë ose afërsinë e kësaj rruge ujore me vendndodhjen aktuale të piramidave”, thotë një prej autorëve të studimit.

Në një përpjekje ndërkontinentale, studiuesit përdorën imazhe satelitore, harta historike, studime gjeofizike dhe bërthama të sedimentit (një teknikë e përdorur nga arkeologët për të gjetur prova nga mostrat) për të ‘hartuar’ degën e lumit që ata besojnë se është varrosur nga thatësira e madhe dhe stuhitë e rërës mijëra vjet më parë. Ekipi ishte në gjendje të “depërtonte në sipërfaqen e rërës dhe të prodhonte imazhe të veçorive të fshehura duke përdorur teknologjinë e radarit”, thanë studiuesit. Kështu u gjetën “lumenj të varrosur dhe struktura të lashta” që rrjedhin në ultësirën e vendit ku shtrihet “shumica dërrmuese e piramidave të Egjiptit të Lashtë”.

Sipas njërit prej bashkautorëve tw studimit, gjetja e degës së lumit dhe të dhënat tregojnë se ekzistonte një rrugë ujore që mund të jetë përdorur për transportin e blloqeve më të rënda, pajisjeve, njerëzve, kjo na ndihmon vërtet të shpjegojmë ndërtimin e piramidave.

Ekipi zbuloi se dega e lumit – e quajtur dega ‘Ahramat’, që do të thotë ‘piramidë’ në arabisht – ishte afërsisht 64 km e gjatë dhe nga 200 deri në 700 metra e gjerë. Kjo degë ishte pranë 31 piramidave, të cilat u ndërtuan midis 4700 dhe 3700 vjet më parë. Lumi Nil ishte djepi i zhvillimit të Egjiptit të Lashtë – dhe mbetet i tillë edhe sot e kësaj dite.

Kristi Ceta/SCAN

SHKARKO APP