Si të përgatisim bakllavanë e shijshme turke nga duart tona
Koha i erdhi më në fund! Viti i Ri është afër, prandaj nëse po kërkoje pafund për recetën e bakllavasë, shkruan Neps.al. Mos humb kohë, fillo nga puna tani!
INGREDIENTËT
1 kg miell
7 vezë (4 të plota dhe 3 vetëm të verdhat)
1 gotë uji me vaj
1 gotë uji me kos
Lëng limoni
600 gram gjalpë për lyerjen e bakllavasë
750 gram arra të qëruara
Niseshte për hapjn e petëve
Përbërësit e sherbetit:
1.5 kg sheqer
½ limon (lëngun)
1 litër ujë
UDHËZIMET
1.Marrim miellin, vezët, kosin, vajin dhe lëngun e limonit dhe zëmë brumin jo shumë të fortë. Pasi e zëmë brumin e lëmë të qetësohet për gati një orë dhe më pas e ndajmë në 4 pjesë të barabarta.
2.Secilën nga këto pjesë e bëjmë kulecë të vegjël sa një kokërr arre. Nga secila pjesë do të dalin 20-22 kuleçë.
3.I hapim petët jo shumë të mëdha dhe i vendosim njera mbi tjetrën duke i lyer me pak niseshte.
4.Pasi i mbarojmë së hapuri të gjitha dhe i kemi vendosur mbi njëra-tjetrën.
5.Hapim petën e madhe (nga bashkimi i të gjitha petëve të vendosura mbi njëra-tjetrën) sa madhësia e tepsisë dhe i vendosim në tepsi të lyer me vaj.
6.Më pas petën që kemi vendosur në tepsi e lyejmë me gjalpë dhe hedhim arrat e qëruara dhe të shtypura (brenda arrave, sipas dëshirës mund të hedhim edhe pak kanellë).
7.Ashtu siç vepruam me pjesën e parë të brumit, do të vazhdojmë edhe me pjesët e tjera, ku secilës pjesë i hedhim arrat në mes.
8.Pasi ta kemi përfunduar të gjithë brumin dhe ta kemi vendosur në tepsi, e presim në formë ylli (jo feta shumë të mëdha) dhe e lyejmë me gjalpë.
9.Tepsinë që kemi e fusim në furrë.
10.Në fillim temperatura duhet të jetë 150℃ dhe në momentin që do të fillojë të skuqet pjesa e sipërme e ulim temperaturën në 120℃.
11.Proçesi i pjekjes duhet të vazhdojë për 4- 4.5 orë me qëllim që bakllavaja të kullojë sa më mirë.
12.Përgatitja e sherbetit:
13.Në një tenxhere shtojmë sheqerin, ujin dhe e vendosim të ziejë derisa të trashet sherbeti (e provojmë tek thoi i madh i dorës dhe nëse qëndron sumbull është gati).
14.Sherbeti nuk hidhet direkt nga zjarri. Atë duhet ta lemë 5 minuta pastaj ia hedhim. Bakllavaja duhet të jetë e ftohtë në momentin që do t’i hidhet sherbeti.