Të kopjosh nuk është turp

Pak më parë, Mimi Kodheli u akuzua publikisht për plagjiaturë në tezën e saj të doktoraturës “Regjimi i shënjestrimi të inflacionit: një propozim për Shqipërinë”. Studenti i cili e nxorri në pah, Vladimir Kola, vuri përbri tre faqet që Kodheli kishte përkthyer dhe i kishte paraqitur si të vetat.

Në fund, Kola shkruan se puna origjinale, ajo e Frederic S. Mishkin, është listuar si literaturë e konsultuar, por jo si referencë në paragrafët e marrë verbatim. Ndërsa autorët e tjerë, nga të cilët Kodheli duket se ka marrë disa paragrafë, nuk listohen në fund si literaturë.

Në koncept, veprimi i deputetes mbetet plagjiaturë, pra vjedhja e një ideje dhe paraqitja e saj si personale. Nuk dua ta mbroj sepse Kodheli ishte e rritur, e përgjegjshme dhe e vetëdijshme për ç’po bënte në momentin kur e shkroi tezën dhe kur vendosi të mos i përfshinte në referenca disa prej punëve ku u mbështet. Siç ka marrë paragrafë nga Mishkin, ka marrë dhe nga dy autorë të tjerë, gjë që e bën edhe më të patolerueshëm. Pra, s’ka qenë veprim aksidental.

Sidoqoftë, nuk e quaj dot as plagjiaturë dashakeqe. Nuk besoj se Kodheli nuk u nis me idenë që t’ia marrë dikujt tjetër dhe të përfitojë prej tij. Më tepër, vihet re ndikimi i kulturës së kopjimit që ekziston në Shqipëri, mungesës së respektit ndaj punës së tjetrit e mosdhënies së meritave.

Që në vitet e para të arsimit, nxënësit më pak të mirë kopjojnë nga më i miri dhe askujt s’i bën përshtypje. Edhe pse më i miri meriton të vlerësohet për punën e të tjerët të ndëshkohen, dijet shpërndahen në këtë mënyrë të padrejtë. Madje, nëse nxënësi i mirë nuk u tregon të tjerëve e nuk i lejon të kopjojnë prej tij, stigmatizohet, tallet e mbetet vetëm. Si rrjedhim, ata nga të cilët kopjohet, lejojnë që kjo të ndodhë, edhe pse thjesht i dëmton e u hedh mundin poshtë. Nga ana tjetër, ata që kopjojnë nuk shihen kurrë si më të pakët. Në fakt, nuk ndjejnë kurrë pendesë, në të kundërt s’do të kopjonin.

Në gjimnaze e fakultete, ndodh që tezat të zbulohen para provimit dhe shpërndahen mes studentësh e askujt nuk i bën syri tërr. Në asnjë moment, studentët nuk mendojnë se ajo që po bëjnë është imorale e për më tepër në dëm të tyrin. Qëllimi i një provimi është të testojë dijet dhe nëse di pyetjet, nuk teston asgjë. Duke kopjuar apo duke ditur paraprakisht pyetjet e një provimi, qëllimi ndryshon. Në vend të mësojnë dhe të nxënë, studentët synojnë të dalin mirë apo të kalojnë. Pra, mjafton nota e marrë dhe jo njohuritë apo aftësitë që çdo notë supozohet të mbështesë.

Edhe në rastin e Kodhelit, qëllimi justifikoi mjetin. Asaj – e me siguri të tjerëve që kanë kryer të njëjtin veprim – i nevojitej një paragraf a disa, kështu që i mori, sepse mundej dhe sepse i vlente synimit përfundimtar. Në këtë rast, nota zëvendëson gradën.

Gjithashtu në botën e medieve online, shpesherë puna origjinale e dikujt nuk respektohet. Thuajse çdo ditë shohim një artikull të marrë fjalë për fjalë nga diku tjetër, pa cituar as burimin. Është e njëjta gjë, mbetet plagjiaturë.

Kjo akuzë nuk i zhbën automatikisht gjithë arritjet apo aftësitë e Kodhelit, por e zbut pak respektin që mund të kenë njerëzit për të.

Po, të kopjosh nuk është turp. Por duhet të jetë.

SHKARKO APP