Transmetimi i virusit, 10 gjërat që duhet të dini
Kujdesi për higjienën dhe distancimi social konsiderohen si masat thelbësore që secili prej nesh duhet të ndërmarrë në mënyrë që të ndihmojnë në frenimin dhe shkëputjen e zinxhirit të infektimeve me Covid-19. Kjo pasi më shpesh përhapja nga një person tek tjetri ndodh nëpërmjet spërklave të frymëmarrjes të prodhuara nga një person i infektuar pasi flet, kollitet apo teshtin, të cilat mund të bien lehtësisht tek personat rreth tij, si dhe në objekte që gjithashtu mund të shërbejnë si një burim infektimi.
Mjaft shqetësuese mbetet përhapja e virusit nga personat që nuk kanë shenja të dukshme të sëmundjes. Duke mos pasur simptoma këta persona mund të rrezikojnë edhe të afërmit e tyre, për shkak të mosrespektimit të distancimit social.
Burim rreziku për transmetimin e virusit janë edhe pacientët që nuk respektojnë karantinën, në rastet kur simptomat kanë filluar të zhduken. Ekspertët e shëndetit publik në vendin tonë, të udhëzuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetit, sqarojnë se pacientët mund të kontaminojnë deri në dy javë pas zhdukjes së simptomave. Ndaj nuk duhet të neglizhoni kurrsesi qëndrimin në karantinë edhe për dy javë të tjera pasi simptomat të jenë zhdukur të pasi këto simptoma të jenë zhdukur.
Një lajm i mirë i konfirmuar tashmë është se nuk është vënë re kalim i virusit në rrugë intrauterine, çka do të thotë se gratë shtatzëna nuk rrezikojnë kalimin e virusit edhe tek bebet që do të sjellin në jetë.
Po ashtu nga studimet e kryera deri më tani tek rastet e infektuara, nuk janë konstatuar gjurmë të virusit në qumështin e gjirit të nënës. Këto të fundit udhëzohen që të vijojnë ushqyerjen me gji të të vegjëlve të tyre, por duke marrë në konsideratë edhe masat e kujdesit të higjienës personale (të larjes së duarve para dhe pas prekjes së fëmijës), higjienës respiratore vendosjes së maskës kur i jepet gji fëmijës, si dhe dezinfektimit të shpeshtë të ambienteve të shtëpisë.
Vlerësimet për rrugët e transmetimit të Covid-19:
Më shpesh Covid-19 përhapet nga një person tek tjetri midis kontakteve fizike.
Përhapja nga një person në tjetrin ndodh kryesisht përmes spërklave të frymëmarrjes të prodhuara kur një person i infektuar flet, kollitet, ose teshtin.
Këto spërkla mund të zbresin në gojë, hundë, ose sy të njerëzve që janë afër me të infektuarin, ose mund të thithen edhe në mushkëri.
Kur një person prek sipërfaqet ose objekt që ka virusin mbi të dhe më pas prek gojën, hundën, ose sytë e tij.
Transmetimi mund të ndodhë kur pacientët janë simptomatikë, por edhe para shfaqjes së ndonjë simptome, madje edhe nga pacientët simptomatikë (që nuk kanë shenja të dukshme që të kuptojnë se janë të infektuar).
Pacientët mund të kontaminojnë deri në dy javë pas zhdukjes së simptomave.
Në gratë shtatzëna, transmetimi intrauterin ose perinatal nuk është identifikuar.
Te gratë që ushqejnë foshnjat me gji, virusi nuk është zbuluar në qumështin e gjirit. Organizata Botërore e Shëndetit, aktualisht deklaron se nënat me Covid-19 mund të vazhdojnë me ushqyerjen me gji, duke respektuar masat e higjienës.
Lidhur me mundësinë e ri-infektimit përgjigja imune ndaj Covid-19 nuk është kuptuar akoma. Pacientët me infeksion MERS-COV nuk ka të ngjarë të riinfektohen menjëherë pasi shërohen, por ende nuk dihet nëse një mbrojtje imune e ngjashme do të vëzhgohet edhe për pacientët me Covid-19.
Periudha mesatare inkubacionit vlerësohet 5.1 ditë. Kjo sugjeron që periudha e karantinës 14 ditore e rekomanduar nga OBSH është e arsyeshme. Rreth 97,5 për qind e njerëzve shfaqin simptoma do ta bëjnë këtë brenda 11.5 ditëve nga ekspozimi.