Tre persona të dënuar gabimisht në SHBA lirohen pas 36 vjetësh
Tre persona të dënuar gabimisht në Merillend të Shteteve të Bashkuara, u liruan pas 36 vjetësh në burg.
Alfred Chestnut, Andrew Stewart dhe Ransom Watkins u dënuan me burgim të përjetshëm në vitin 1984 për vrasjen e një djali 14 vjeç.
Ata u liruan pasi gjykatësi rishikoi rastin e tyre. Rasti u rihap muaj më parë, kur Chestnut u dërgoi një letër autoriteteve në qytetin Baltimore, në të cilën përfshiu prova që i zbuloi vitin e kaluar.
Chestnut, Stewart dhe Watkins u arrestuan si adoleshentë në nëntor të vitit 1983, pas vrasjes së Dewitt Duckett, i cili u qëllua në qafë në një shkollë të mesme në Baltimore.
Këto ishin të shtënat e para fatale në një shkollë publike të Baltimores.
“Këta tre burra u dënuan si fëmijë për shkak të shkeljeve që ka bërë policia dhe prokuroria”, tha prokurorja e shtetit në Baltimore, Marilyn Mosby, pas lirimit të tyre.
Prokurorët thanë se gjatë hetimeve fillestare, policia i injoroi raportet nga dëshmitarë të shumëfishtë që e identifikuan një person tjetër si vrasës.
“Nuk mendoj se kjo sot është një fitore, është një tragjedi. Dhe ne duhet të mbajmë përgjegjësinë tonë për të”, tha prokurorja Mosby.