Xhel antibakterial falas nga Dior, Guerlain dhe Givenchy

Pas shtimit të rasteve në Francë, disa nga markat më luksoze në botë do të kalojnë nga prodhimi i parfumeve në prodhimin e antibakterialëve të duarve.

LVMH, kompania që zotëron Christian Dior, Guerlain dhe Givenchy dhe shumë marka të tjera luksi, do të ndihmojë autorietet franceze duke prodhuar xhel antibakterial dhe duke ia dhuruar falas, në ndihmë të luftës me koronavirusin.

Në një deklaratë për shtyp kompania njoftoi se xheli do t’u dërgohet autoriteteve shëndetësore franceze dhe Assistance PUblique-Hospitaux de Paris, një rrjeti prej 39 spitalesh universitare që trajton më shumë se 8 milionë pacientë çdo vit.

“Përmes kësaj iniciative LVMH synon të adresojë mungesën e produktit në Francë dhe të nxisë një numër të madh njerëzish të bëjnë gjënë e duhur për t’u mbrojtur nga virusi,” tha kompania.

Iniciativa erdhi pasi autoritetet në gjithë botën sugjerojnë larjen e duarve si masën kryesore për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Në pamundësi për ta bërë këtë, rekomandohen antibakterialët dhe kjo ka sjellë mungesa të këtyre produkteve në tregjet botërore.

Sidoqoftë, mënyra më e mirë për të pastruar duart mbetet larja e tyre me ujë dhe sapun. Që produktet antibakteriale të jenë efektive, duhet të kenë të paktën 60% alkool.

SHKARKO APP