Zbulohen fosilet e “Megaraptor”, dinozaurit grabitqar

Paleontologët argjentinas kanë zbuluar një nga speciet e rralla të dinozaurëve grabitqarë që jetonin në Tokë rreth 70 milionë vite më parë.

Në Argjentinë janë zbuluar fosilet e një dinozauri mishngrënës, që datojnë rreth 70 milionë vite më parë.

Për 15 ditë me radhë, ekipe paleontologësh në provincën e Santa-Kruzit përdorën sharra speciale për të prerë shkëmbinjtë, brenda të cilëve arrit të zbulohet skeleti parahistorik dhe busti i species së rrallë.

Ky tip grabitqari gjigant mendohet se ka jetuar edhe në Azi e Australi, kryesisht në hemisferën jugore, dhe u shfarosën para 65 milionë viteve, në fundin e epokës së dinozaurëve.

“Ishim me fat që zbuluam shkëmbinjtë 65-70-milionë-vjeçarë, dhe fosile të ndryshme të dinozaurit grabitqar. Skeleti i tij është afërsisht 10 metra i gjerë,” thotë Fernando Novas, paleontolog në Muzeun argjentinas të Shkencave të Natyrës.

Novas ishte i pari që e zbuloi këtë lloj dinozauri në vitin 1996 në një tjetër provincë kineze, dhe atëkohë i vuri emrin zyrtar “megaraptor”.

Ndryshe nga kafshët gjigante të kohës, dinozaurët grabitqarë dallonin pasi ishin më të dobët dhe të shpejtë, me këmbë të gjata dhe duar e kthetra të cilat arrinin deri 40 centimetra gjatësi.

Këta zvarranikët jetonin në grupe njësoj si antilopat e sotme dhe ushqeheshin me dinozaurët barngrënës, tregon specialisti argjentinas.

“Qafën e kishin të gjatë, kafkën të ngjeshur dhe të hollë. Ndryshe nga tiranozaurët dhe giganotozaurët, dhëmbët i kishin të vegjël por të mprehtë. Armët kryesore në thelb ishin goja dhe duart.”

Skeleti i gjetur i dinozaurit gjigant pritet të ekspozohet në muzeun e “Padre Molina” në Santa-Kruz të Argjentinës.

SHKARKO APP