1
Nga Edison Ypi
Pa folur për 3-shin, 4-ën, 5-ën etj. që ishin numura aq të komplikuar sa prej tyre të merreshin mentë dhe të vinte për të vjellë, dukej sikur të vetmit që mund ta konkurronin 1-shin ishin fqinji 2-shi dhe gjitonia 0-ja.
Por ishte iluzion.
Se vërtetë 2-shi, dukej i thjeshtë, i pafajshëm, pa ndonjë rrezik, pa asnjë pasojë. Por 2-shin, po ta kqyrje pak më thellë, për shembull, po ta mblidhje, zbrisje, shumzoje, pjestoje, hidhte ickla, nxirrte të papritura, sajonte variacione të pakëndshme prej të cilave të pillte belaja. 2-shi pra aritmetizohej, renditej, kombinohej, evoluohej, sidomos shtohej, zmadhohej. Prandaj 2-shi me 1-shin, përtej fqinjërisë së afërt, ishin ndaj njëritjetrit tepër të largët, të ndryshëm, dhe 2-shi u konsiderua përfundimisht zevzek, i pabesë, i pasigurtë, i pashpresë se me anë të tij mund të bëje ndonjë punë të hajrit. 0-ja edhe më zi se 2-shi. Përmes një kombinimi të pëshpërimave me psherëtimat, u fal ca kohë nën zë për 0-n e cila po të aplikohej me kujdesin e duhur mund të ishte një shpëtimtare e sigurtë mbi të cilën mund të investoheshin shpresa të mëdha për të mirën e ardhmënisë kombëtare. Por ato shpresa u shuan shpejt sapo dikush u kujtua të fliste për Matematikën e Bulit shpikur para nja dyqint viteve dhe lënë padrejtësisht mënjanë. Matematika në fjalë, që ishte e bazuar tek 1-shi dhe 0-ja, do të mundësonte pak më vonë shpikjen e kompjuterit dhe Internetit, pra torollepsjen pa shërim të shqiptarëve dhë tërë dynjasë. Mirpo "pak më vonë" nuk konkurronte dot me "së shpejti" kur fatet e botës do ishin në duart e proletarëve të cilët do ta kishin bërë ndërkohë detin kos dhije Martaneshi, malet pilaf orizi Kine, liqenet mjaltë Gramozi, dhe rrjedhimisht 0-ja nuk do kishte asnjë kuptim, 0-s nuk do t'i njihej asnjë vlerë, nuk do luante asnjë rol. Kjo ishte arësyeja që nga 0-ja dhe rëndësia e saj dhe energjia e saj asgjësuese u hoq dorë.
Mbetej, dhe mbeti, i qeti, i urti babaxhani, i javashmi, i ngathëti, të cilit edhe po t'i nxirrje rrënjën, ta pjestoje dhe shumzoje me veten e vet, jepte si rezultat po veten e vet, pra 1-shi steril prej të cilit nuk të vinte asnjë e keqe, nuk të kanosej asnjë rrezik.
I vetëm, i ftohtë, vertikal, kryelartë, pa asnjë frikë se mund të nxirrte ndonjë telash apo shkaktonte ndonjë frikë, aq më pak ndonjë dëm, shtoi këtyre edhe faktin se poeti i krisur komunist rus 1-shit i kishte ardh hakut qyshkur duke e cilësuar ashtu si e meritonte "send i kotë", u muar vesh se 1-shin e kishte falë Zoti, dhe 1-shi zuri përgjithmonë kryet e vendit.
1 ishte ideologjia që ndriçonte mendjet e budallenjve, ftillonte trutë e gomerëve, garantonte të ardhmen e ndritur të hajvanëve, bindëte më dembelët se janë puntorët më të palodhur, u thoshte qorrave se mund ta lexonin pa problem Marksin, Engelsin, romanin "Ata nuk ishin vetëm" dhe të shihnin edhe prapa Hënës, nuk u linte shurdhave asnjë dyshim se mund ta vlerësonin si duhet tingujt mahnitës të Internacionales.
1 ishte shoku ose miku i sigurtë. Të tjerët ishin spiuna.
1 ishte dyqani brenda të cilit ndodhej 1 kasap tek i cili blije 1 kilogram mish.
1 ishte tabela e dyqanit që lexonte "Kasap" por po të hyje brenda nuk gjeje as 1 gram mish por vetëm 1 kasap.
1 ishte shitësja e 1 bulmetoreje të 1 mëhalle ku në 1 muaj merrje 1 kilogram djathë dhe 1 pako gjalp që mbaronte para se të fillonte.
1 qese të vogël kafeje në 1 muaj nuk e mbaj ment në cilin dyqan të pisët shitej.
1 dhe e pandryshuar mbeti buka brumin e së cilës e gatunin me këmbë jevgjit në një punishte të qelbët me emrin bombstik kombinati ushqimor.
1 ishte kripa me kokrra të mëdha të zeza për t'ja hedhur groshëve që të pirdhje sa të mundje.
Pulat nuk pranuan kurrë të nxirrnin nga bytha më tepër se 1 kokërr vezë në 1 ditë.
Lopët refuzuan të nxirrnin më tepër se 1 litër qumësht në 1 ditë që duhej të ngriheshe në 1 të natës për ta blerë në 1 rradhe ku po të shqiptoje edhe vetëm 1 fjalë pakënaqësie të rrasnin në 1 hapsanë ku koha për tu penduar nuk ishte kurrë më pak se 1 dekadë.
Mashtrueset e përbindshme të proletariatit, birrat dhe pijet freskuese, ishin të shumllojta vetëm në vendet borgjeze-revizioniste. Në Shqipëri kishte vetëm 1 pije që buronte nga toka apo buçiste e freskët nga mali, rridhte nëpër tuba të ndryshkur, për të lagur gurrmazët e tharë të shqiptarit. Kjo 1 pije ishte uji. Uji ishte edhe multifunksional po të kesh parasysh se jo rrallë zëvendësonte frigoriferin.
1 ishte gjatë gjithë kohës modeli se si duhej t'i krihje flokët.
1 dhe i pandryshuar ishte dhe mbeti divani ku duhej të uleshe ose të flije.
1 ishte televizioni prej të cilit duhej të informoheshe.
1 ishte gazeta që duhej të lexoje.
1 ishte filmi që duhej të shihje, ai ëme partizanë trima, italianë frikacakë, ballista mishngrënës, diversantë që binin nëpër kurthe.
1 ishte ëndërra që duhej të ëndërroje, ajo me vigjilencë proletare, tejkalime plani, fitore ngadhnjimtare, çarje bllokade imperialisto-revizioniste, triumf të revolucionit, shoqëri pa klasa, pa padrejtësira, pa shfrytëzim të njeriut nga njeriu.
Arat dhe fushat nuk i çante dot asgjë tjetër përveçse 1 traktor rus me zinxhira kinezë.
Kamioni që ndërtonte "veprat" ishte dhe mbeti 1 Zis-i të cilit gjatë 1 shekulli as Rusia e kuqe as Kina e verdhë nuk i shtuan apo ndryshuan dot asnjë vidhë.
1 ishte i gjithë populli grusht bashkuar rreth partisë.
1 ishte e dashura e cila edhe pasi bëhej gruaja prapseprap 1 që 1 mbeste.
1 ishte pjata e baltës ku duhej të haje.
1 ishte luga e aluminit që duhej ta mbushje.
1 ishte prinuni i shtrembër që duhej ta ngulje.
1 ishte brisku të cilin duhej ta flakje vetëm kur kishe harruar sa herë e kishe përdorur.
1 ishte sapuni gërryes me sodë kaustike me të cilin ishe i detyruar të laje atë 1 lëkurë që kishe.
1 ishte i gjithë populli grushtbashkuar rreth partisë dhe sidomos kurvit.
1 ishte vendi ku shkoje po të bëjë naze, burgu.
Asgjë nuk duhej të ishte më tepër se 1.
Gjithçka duhej të ishte më pak se 1.
Më i vogël se gjysëm, se çerek, se 1 e mijta se 1 e milionta, ishin përmasa të papranueshme, duhej të ishe edhe më i vogël. Duhej të ishe 1 send pa emër që edhe është zero edhe ekziston.
MAPO