11 shkurt 1920, dita që shpalli Tiranën kryeqytet

Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë nga një vendim i Kongresit të Lushnjes, një nga evenimentet më të rëndësishme të historisë kombëtare për vendimet që mori, ndërkohë që qeveria e dalë nga ky kongres, zgjodhi në krye të saj patriotin Sulejman Delvina.

Më 11 shkurt të vitit 1920 qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht  kryeqytet i vendit. Në këtë datë vlerësohet historikisht ardhja e qeverisë shqiptare në Tiranë me në krye Sulejman bej Delvinën dhe pritja  iu bë asaj nga populli tiranas, të cilit iu desh ta mbronte me gjak këtë qeveri. Atë ditë në godinën e cila ndodhet në fillim të rrugës së Elbasanit, u vendos qeveria shqiptare me kryeministër Sulejman Delvinën.

Për herë të parë emri Tiranë përmendet në vitin 1418, në një dokument venedikas për t’u kujtuar në shekullin e 15-të nga historiani dhe shkrimtari i madh Marin Barleti.
Si datë e themelimit të Tiranës si qytet në zemër të Shqipërisë merret viti 1614, kur me kujdesin e Sulejman pashë Bargjinit u ngrit bërthama e parë e qytetit   me një xhami, një banjë (hamam), një furrë dhe disa dyqane.

Tirana për gati dy shekuj qëndroi nën degën e familjes Toptani nga Kruja. Që nga mesi i shekullit XVII-të Tirana nisi të zhvillohej dhe në të u ndërtua një pazar i pajisur me zejtari të ndryshme.

Po aq të lashta sa edhe vetë qyteti janë edhe dy lagjet , ajo e Mujos dhe e Pazarit që ndodhen në zonën mes qendrës aktuale dhe rrugës së Elbasanit.

Në vitin 1789 nisi të ndërtohej xhamia e Et’hem Beut , në vitin 1830 u ngrit Kulla e Sahatit, në gjysmën e parë të shekullit XIX-të mbi lumin Lanë u ndërtuan dy ura ajo e Tabakëve dhe ura e Terzijve. Çezmat në Tiranë megjithëse të pakta konsideroheshin si diçka e shenjtë. Mund të përmendim këtu kroin e Banes, çezmën e Kroit të Shëngjinit etj.

Tirana ndodhet 110 metra mbi nivelin e detit dhe ka një shtrirje gjeografike në të njëjtin paralel me Napolin, Madridin dhe Stambollin, si dhe në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovin.

Tirana : Nga qendra modeste, u shndërrua në kryeqytet

“U themelua për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull bujk, që vuante mungesën e një tregu të afërt”, thuhet në buletinin e botuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Po si do të ndryshonte pas vitit 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet me vendim të Kongresit të Lushnjës dhe si u kthye në qendër të jetës politike- shoqërore?

Në dokumentet e shkruara të kohës janë fiksuar disa nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me planin rregullues të kryeqytetit të ardhshëm dhe godinat që do t’i rezistonin kohës akoma dhe për shumë vite të tjera. Të gjitha të dhënat do të hidheshin në pjesën idilike në një album shkruar nga Osman Myderizi, të cilat vazhdojnë të ruhen ende në një nga  regjistrat e seksioneve të Bashkisë së Tiranës.

Në 1922, me urdhërin e Ministrit të Punëve të Brendshme u zhdukën varrezat që gjendeshin pranë çdo xhamie e pengonin jo vetem rregullimin e tregut, por dhe atë të qytetit. Në këtë vit u hap dhe rruga e re e Durrësit, e cila u pagëzua me emrin “Nana Mbretneshë” që prishi shumë shtëpi dhe kopshte, mbasi ajo e vjetra që shkonte nga Hotel Durrësi, nuk lejonte të shihej nga larg qendra e qytetit, – thuhet në dokumentet e kohës. Sipas të dhënave, në fund të kësaj rruge që bashkonte Tiranën dhe Durrësin, në vitin 1930 italianët filluan punimet për ndërtimin e Hangarit madhështor (kështu u quajt aeroporti i Rinasit).

Sipas të dhënave, ai i përkiste shoqërisë italiane “Ala Littoria”, ndërtim krejt me skelet hekuri dhe i mbuluar nga llamarinat e hekurta, që mbulonte një sipërfaqe prej 5000 metra katrorësh dhe kishte një lartësi rreth 35 metra.
Në të njëjtin vit, – sipas buletinit të Bashkisë, – u zgjerua dhe rruga “28 Nëntori”, u prishën një varg dyqanesh të bukura dhe u formua e njëjta rrugë që vazhdon të jetë dhe sot.
Për herë të parë është hartuar një plan rregullues nga inxhinier Eshref  Frashëri dhe qyteti vazhdoi të ndërtohej sipas një plani të studiuar.

Me shpalljen e Tiranës kryeqytet, pjesa më e madhe e nëpunësve filluan ndërtimin e shtëpive të reja, ndërsa bashkia do të vazhdonte projektet për hapjen e rrugëve të reja dhe rregullimin e atyre ekzistuese.
Në 1926-1927, sipas dokumenteve që sot ndodhen në Arkivën e Shtetit, u hap për herë të parë rruga “Mbretnore” (rruga e Barrikadave) që brenda një kohe tepër të shkurtër, do të bëhej një nga rrugët kryesore.
Pak më vonë, në vitin 1928-1929 u zgjerua dhe u sistemua bulevardi “Mussolini” (sot rruga e Kavajës), një nga arteriet më kryesore të kryeqytetit, i cili u asfaltua në vitet ’34-’37.
Në fillimin e këtij bulevardi u ndërtua Pallati Qendror i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, i cili zinte një sipërfaqe prej 1500 metra katrorë dhe kishte kushtuar 600.000 franga ari. Sipas dokumenteve, në 1930 u ndërtua dhe ajo që do të quhej rruga më e bukur dhe më e rëndësishme e Tiranës bulevardi “Zogu i Parë”, që fillonte nga Kodra e Pashës deri në Brrakë. Të gjitha arteriet në pjesën më të madhe të tyre, ishin të shtruara me pllaka asfalti në mënyrën më moderne dhe ishin zbukuruar me drunj ekzotike . Gjithashtu u ndërtuan me mijëra shtëpi, të cilat i dhanë kryeqytetit të ri pamje shumë të mirë.

Projektet italiane

Në qendër të Bulevardit Zogu i Parë, në bazë të planit të projekteve të arkitektit italian, Florestano De Fausto, u ndërtuan gjashtë pallatet e ministrive në vitin 1931 dhe pallati i Bashkisë në 1929-1931, u sistemua sheshi Skënderbej në një park modern në 1936-1937, i cili do të shtrihej deri në lagjen e Tiranës së re, tek blloku i Shallvareve.

Sipas dokumenteve të shkruara të kohës, i gjithë qyteti kishte 7654 shtëpi  dhe banohej prej 24.407 banorësh definitivë dhe 11. 693 banorëve provizorë. I gjithë qyteti përfshinte një sipërfaqe prej 8 kilometrash, kurse në 1912 ai ishte vetëm 3 kilometra katrorë. Në të njëjtën kohë janë ndërtuar dhe asfaltuar dhe shumë rrugë të tjera të kryeqytetit, të cilat vazhdojnë të kenë të njëjtën pamje dhe përmasa që kanë pasur që në vitin ’37.

 

Ndriçimi i Qytetit

Para vitit ’37 Tirana për shumë kohë ndriçohej prej llampave me “vojguri”. Kjo gjendje e papajtueshme me zhvillimin që kishte filluar të merrte kryeqyteti i Mbretnisë sonë, – thuhet
në regjistrat e Bashkisë, – nuk mund të vazhdonte ndaj dhe autoritetet “epnore” u kujdesën për plotësimin e kësaj mungese.
Në vitin ’27 koncesioni i ndriçimit elektrik, iu dha shoqërisë Anonime Shqiptare “Sita” dhe u ndërtua në hyrje të qytetit kur vjen nga Durrësi.
Centrali Elektrik me 1150 kuaj fuqi kompensive i dha dritë elektrike qytetit.
Pas ndriçimit bashkia do t’u jepte fund të gjitha ndërhyrjeve, që kishin të bënin me pamjen e Tiranës, për t’iu kushtuar më vonë instituteve shëndetësore dhe higjienike, për të plotësuar një nga nevojat e tjera urgjente.

 

SHKARKO APP