113-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit, Proda mesazh për efektivët: Jemi në sfidë të përditshme
Në ceremoninë e mbajtur sot në kuadër të 113 vjetorit të krijimit të policisë së Shtetit, kreu i Policisë Ilir Proda, u shpreh ndër të tjera se kjo strukturë është një gur themeli për rendin dhe ligjin.
“Nuk festojmë thjesht një përvjetor, por nderojmë një histori, një mision, një institucion që prej 113 vitesh qëndron në këmbë përballë sfidave.
Organizata jonë ka ecur krah për krah me historinë e vendit, ka përballuar sfida të mëdha, tranzicione të vështira dhe momente vendimtare, duke ruajtur gjithmonë misionin e saj, mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve. Rrugëtimi i saj është një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi, ku çdo uniformë flet për një detyrë, çdo emblemë për një frymë dhe çdo veprim për një premtim të patundur ndaj shoqërisë.
Gjatë këtyre 113 viteve, 231 punonjës policie, 231 Dëshmorë, më të mirët prej nesh, dhanë gjithçka, duke vendosur jetën e tyre mbi çdo rrezik, për të mbrojtur qytetarët dhe ligjin. Akti i tyre sublim krijoi bazamentin mbi të cilin ndërtohet besimi, forca morale dhe identiteti ynë institucional.
Sot e përjetë, ata janë motivi i misionit tonë, krenaria e Policisë dhe e gjithë shoqërisë. Emri i tyre është i skalitur në historinë e kombit. Në këtë rrugëtim 113-vjeçar kanë kontribuar gjenerata të tëra dhe sot shprehim mirënjohjen tonë për veteranët e Policisë, për kontributin dhe trashëgiminë që kanë lënë ndër breza”, tha Proda ndër të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

