136 punonjës administrate, 1 milion lekë shpërblim çdo muaj, përveç rrogës

Rreth 136 nëpunës që do të merren me procesin e integrimit në administratën publike do të “shpërblen” nga qeveria me 1 milion lekë të vjetra çdo muaj.

“GSH" shkruan sot se ka mundur të sigurojë vendimin e qeverisë, miratuar në mbledhjen e datës 7 korrik, i cili përcakton kategoritë e punonjësve të administratës publike, që veç pagës së tyre mujore, do të marrin që prej datës 1 shtator 2015 edhe një “shtesë” në masën 100 mijë lekë të reja.

Së bashku me pagën mujore, super-­rroga e këtyre nëpunësve shkon edhe më e lartë se sa e vetë ministres së Integrimit apo ministrave të tjerë.

1 milion lekë të vjetra apo 100 mijë të reja në muaj është një pagë tepër e lartë për një nëpunës të administratës publike shqiptare në ditët e sotme.

Por, burimet e “GSH” bëjnë të ditur se qëllimi është që të afrohen në këtë proces (përafrim legjislacioni) njerëz të aftë, të rinj të shkolluar jashtë vendit, që kanë njohuri të integrimit evropian.

Vendimi i marrë në dt. 7 korrik është mbajtur i fshehtë dhe nuk është publikuar bashkë me vendimet e tjera në sajtin zyrtar të Kryeministrisë.

SHKARKO APP