144 mijë persona trokasin në zyrat e punësimit
për të gjetur një të tillë. Kjo dukuri konfirmohet nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave, numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në tremujorin e dytë 2014 është rritur me 1.6% ose me 2.281 persona në krahasim me tremujorin e dytë 2013. Që përkthehet ndryshe, në më shumë persona që iu afrohen këtyre zyrave shtetërore për të përfituar një vend pune. “Punëkërkues të papunë të regjistruar, janë të gjithë personat e papunë në moshë pune që janë të disponueshëm për punësim, të cilët paraqiten periodikisht në zyrën përkatëse të punësimit. Të tillë konsiderohen edhe personat të cilët janë në marrëdhënie pune ose të vetëpunësuar, por që kërkojnë një punë të re. Punëkërkuesi është një person i cili jeton në Shqipëri, është mbi 16 vjeç, paraqitet personalisht në Zyrën e Punësimit për të gjetur punë, është i aftë për punë”, saktësojnë ekspertët e INSTAT-it lidhur me shpjegimin e një termi të tillë. Ndërsa theksojnë se në total, numri mesatar i personave të regjistruar si punëkërkues të papunë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014 është 144.131 në rang vendi. Dhe se qarqet e Tiranës, Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit kanë numrin më të madh të punëkërkuesve të papunë të regjistruar. Ndërsa shtojnë se 5.2% e punëkërkuesve të papunë të regjistruar përfituan pagesë papunësie. “Në qarkun e Tiranës përfituesit e pagesës së papunësisë përbëjnë 9.8% të punëkërkuesve të papunë të regjistruar të këtij qarku. Në qarkun e Dibrës kjo kategori përbën 7% të punëkërkuesve të papunë të regjistruar. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë të vitit 2014 numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar që përfitojnë pagesë papunësie është rritur me 426 persona. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit pararendës, numri i punëkërkuesve të papunë që përfitojnë pagesë papunësie ka rënë me 268 persona”, cilësojnë gjithashtu ekspertët e INSTAT-it. Duke përfunduar me faktin se shkalla e papunësisë së regjistruar për tremujorin e dytë 2014 është në nivelin prej 13.4%, duke shënuar rënie prej 1.5% krahasuar me tremujorin e dytë 2013 dhe rënie prej 3.6% krahasuar me tremujorin e parë 2014.
PAPUNËSIA
Shkalla e papunësisë së regjistruar për tremujorin e dytë 2014 është në nivelin prej 13.4%, duke shënuar rënie në nivelin prej 1.5% krahasuar me tremujorin e dytë 2013 dhe rënie prej 3.6% krahasuar me tremujorin e parë 2014.
GJINIA
Ulet papunësia te femrat
Gjatë tremujorit të dytë 2014 në Shqipëri, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 216.087 persona, raporton INSTAT. Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç është 17.7 %. Për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë mbetet më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19.8% dhe 14.7%. Krahasuar me tremujorin e parë 2014, vihet re se shkalla e papunësisë për meshkujt ka mbetur pothuajse e njëjtë, ndërsa për femrat ka një rënie prej 2.1 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 25.1% ose 7.5 pikë përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar. Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie prej 16.1%. Për personat me arsim të mesëm profesional dhe ato me arsim deri në 8/9 vjeçar shkalla e papunësisë është 15%. Gjatë tremujorit të dytë 2014 për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 33.5%. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 3,3 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e dytë 2014 shkalla e papunësisë është 12.8 %. Dhe sa u përket mënyrave të kërkimit për punë, 85% të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve/shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës (51.4%) si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta etj. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, personat që po kërkonin punë për herë të parë përbënin 59.2% të punëkërkuesve të papunë.