“21 qershori, kaosi i fshehur i ditës tjetër”

 

Pavarësisht vullnetit për të kryer brenda dy viteve reformën administrative territoriale, duket se edhe njësitë e reja administrative do të kenë probleme pasi nuk kanë një kuadër ligjor të qartë për kryerjen e detyrave.

Në një intervistë për DITA, politologu Afrim Krasniqi analizon se reforma administrative territoriale përbëhet nga dy paketa: Ndryshimet ligjore (janë më shumë se 23 ligje që përfshijnë problematikën e ndarjes) dhe ndarja në vetvete administrative.

Por sipas tij, Qeveria e parlamenti bënë të dytën, pa bërë të parën dhe ende sot nuk kemi asnjë produkt nga paketa kryesore mbi ligjet, funksionet dhe pasojat e ndarjes në administrimin e vendit. Krasniqi shprehet ende nuk ka ligj të ri organik për pushtetin e ri vendor, nuk ka bazë ligjore solide mbi buxhetimin e ri, mbi shkrirjen dhe bashkimin e njësive, mbi kontratat e shumta që trashëgohen, mbi sistemin e taksave dhe përgjegjësive, mbi funksionet e administratorit dhe këshillit të ri, mbi rolin që do ketë prefekti apo qarku, dhe sidomos, mbi procesin e premtuar decentralizues në shërbimet në shëndetësi, arsim, mjedis, kulturë, trashëgimi, turizëm dhe burimet natyrore.

Sipas Krasniqit, të gjitha bien me ndarjen e re dhe duhen ribërë nga e para, ndërsa e cilëson kohë të humbur dhe mandat të humbur për të zgjedhurit e rinj. Natyrshëm shtrohet pyetja: Si do të qeverisin drejtuesit e rinj lokalë pas zgjedhjeve?

Gjasat janë që të pritet një periudhë paqartësie dhe rrëmuje, e cila në vetvete është e kuptueshme edhe nëse këto do të ishin zgjedhje të zakonshme. Aq më tepër që ndarjes së re territoriale do t’i duhet të presë për t’u shoqëruar me bazën e vet ligjore, për të qenë funksionale në të gjitha hallkat e funksionimit të pushtetit të ri vendor.

Fakti është që procesi u sforcua shumë në pritje të bashkëpunimit të opozitës në këtë projekt të ri. Por kjo e fundit jo vetëm që nuk mori pjesë, por deklaroi se nuk do ta njohë dhe nuk do të hyjë në zgjedhjet lokale, pavarësisht se më pas ndërroi mendje. Ndërsa procesi po ecte, PD u ofrua me një propozim tjetër, atë të ngritjes pikërisht të bazës ligjore dhe pastaj të ecej me ndarjen e hartës. Por ndërkohë po rrezikoheshin afatet e çuarjes në fund të këtij procesi.

Gjithsesi, mbetet të presim zhdërvjelltësinë e legjislativit dhe qeverisë pas zgjedhjeve lokale, në miratimin e paketave të munguara ligjore, por në këtë pikë nuk do ishte çudi edhe një rifillim i ngërçit politik, me opozitën e interesuar në zvarritjen e një tjetër procesi për të cilin mazhoranca do zihej ngushtë.

Por le të kthehemi tek intervista. I pyetur se ku pritet më shumë ashpërsi dhe ndoshta mundësi konflikti në 21 qershor, Krasniqi thekson se ato do të ndihen në zona që kryesisht ose kanë diferencë të vogël votash midis kandidatëve, ose ka kandidatë të “fortë” që tentojnë të fitojnë me çdo kusht, ose ka interesa të mëdha të grupeve klienteliste financiare. Sipas tij, këto janë tri burimet e konfliktit dhe me siguri, tri rreziqet kryesore të fushatës.

 

Krasniqi, ju keni vite që merreni me studimin e politikës. Bazuar në rezultatet e vitit 2013, cili është projeksioni juaj për këto zgjedhje?

Nuk mendoj se rezultatet e 21 qershorit do jenë reflektim direkt i zgjedhjeve 2013. Ato ishin zgjedhje politike, ishin votime për rotacion politik, kurse pas dy vitesh nuk pritet ndonjë vendimmarrje me rëndësi politike dhe nuk mund të ketë rotacion. Zgjedhjet lokale gjithnjë kanë pjesëmarrje më të ulët në zgjedhje dhe rezultati varet nga disa faktorë. Radhë ndodh që rezultati parlamentar përsëritet në zgjedhjet lokale dhe me siguri 21 qershori nuk do jetë ky rast. Nëse krahasojmë këto zgjedhje me votimet 2007, 2011 dhe duke marrë në konsideratë edhe rezultatet 2009 dhe 2013 një faktor përcaktues do jetë koalicioni zgjedhor dhe aftësia e partive politike për të mobilizuar mbështetësit e tyre për kandidatët e përbashkët të koalicionit. Gjë që është vështirë të ndodhë, sidomos në zona ku partitë kryesore, PS dhe PD, nuk kanë kandidatë direkt të tyre. Fakti që në koalicione ka prurje partish të panatyrshme në identitet dhe afërsi programore, e bën edhe më të vështirë maksimalizimin e votave brenda tij.

 

Kë shihni si bashkitë që kanë një rivalitet më të fortë në rezultat?

Mendoj se rivaliteti më i madh do jetë vetëm në disa bashki: për shembull në Durrës, në Elbasan, në Korçë, në Fier, në Sarandë, në Kavajë apo në Lezhë. Pjesa më e madhe e bashkive të tjera kanë diferencë midis palëve dhe nuk pres të ketë rivalitet të ashpër dhe as ndonjë surprizë të madhe.

 

Po bashkitë ku pritet më shumë ashpërsi dhe ndoshta mundësi konflikti, në 21 qershor?

Janë disa. Që nga Malësia e Madhe dhe deri në Tepelenë, nga Kukësi dhe në Kavajë, nga Durrësi në Pogradec. Janë zona që kryesisht ose kanë diferencë të vogël votash midis kandidatëve, ose ka kandidatë të “fortë” që tentojnë të fitojnë me çdo kusht, ose ka interesa të mëdha të grupeve klienteliste financiare. Këto janë tri burimet e konfliktit dhe me siguri, tri rreziqet kryesore të fushatës.

 

Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e mazhorancës?

Është në pushtet dhe pala në pushtet gjithnjë është e favorizuar. Siç pamë tek rasti i koalicionit pati një dyndje të partive për të hyrë në koalicion me PS dhe kjo shpreh një trend klientelist të sistemit partiak shqiptar, – rendjen me çdo kusht drejt pushtetit dhe privilegjeve që ai ofron. PS nuk ka ndonjë bilanc të dukshëm pozitiv qeverisës, madje në disa bashki rikandidon për mandat të tretë ose të dytë pa pasur ndonjë shkëlqim në ato bashki, por ka shansin se premtimi e pritshmëria është akoma më e madhe sesa kritika ndaj reformave. Plus që mazhoranca po përdor të gjitha mjetet e pushtetit, siç ka bërë dikur mazhoranca e djathtë, dicka që në zgjedhje lokale funksionon sepse krijon hapësirë për vendime klienteliste, favore dhe shpërblime për komunitete e kategori të caktuara. Disavantazhet? PS nuk ka ndonjë model të suksesshëm lokal. Dy kryetarët kryesorë të bastioneve të saj, Vlorë e Fier u dërguan prej saj përpara drejtësisë. Nuk pati prurje të reja në kandidim dhe nuk ka arritur të krijojë një frymë ndryshimi si me 23 qershor. PS fitoi pushtetin duke penalizuar arrogancën e PD-së, por në fakt, në shumë elementë ajo po imiton të kaluarën që mundi, – diçka që do sjellë kosto elektorale dhe tregon se në një vend të varfër dhe ballkanas si Shqipëria, rilindjet dhe ndryshimet e mëdha ndodhin aq radhë sa jam skeptik nëse do i jetojmë.

Sa do të ndikojnë partitë jashtë  dy koalicioneve?

Ndikim minimal si parti, por shumë më të madh në rastet e kandidatëve për kryetar bashkie. Nëse kandidatët e tretë marrin 3-6 mijë vota në zonat e tyre, balanca ndryshon dhe ata vendosin fatin e zgjedhjeve.

Ndarja e re administrative, në sa bashki e ndihmon të majtën?

Krasniqi: Është një ndarje favorizuese për të. Për shembull, nëse marrim numrin e bashkive, vetëm në qarqet Gjirokastër e Vlorë PS fiton numër më të madh bashkish sesa numri total i bashkive në veriun e vendit. Në Tiranë e Kamëz siç duket ka pasur një kompromis të heshtur midis palëve, për të krijuar bastione për palën respektive, – edhe kjo në shkelje të parimeve të ndarjes territoriale.

 

Si e shikoni këtë ndarje të re territoriale?

Nisi mirë, shënoi risi në konsultime dhe hapjen ndaj mendimeve kritike, por finalizimi në javën e fundit, me kalimin nga 47 në 61 bashki, pra 14 bashki shtesë për shkak të kushtëzimit nga partnerë koalicioni ose zona bastion mbështetjeje, u cënua thuajse tërësisht integriteti i ndarjes dhe pritshmëritë ndaj saj. Në përfundim ka harta të papranueshme në logjikën e ndarjes funksionale, siç gjenden zona “xhep” në Shkodër, Pukë, Tiranë, Shijak, Rrogozhinë, Belsh, Përrenjas, Berat, Rostovec dhe sidomos në dy qarqet e jugut, Vlorë e Gjirokastër. Rezultati final ishte zhgënjyer nga ata që e bënë dhe zhgënjyes nga pala tjetër që nuk pati kurajon të propozonte një ide ndryshe.

 

Cilat janë ndryshimet ligjore që duhen bërë?

Një ndarje territoriale përbëhet nga dy paketa: Ndryshimet ligjore (janë më shumë se 23 ligje që përfshijnë problematikën e ndarjes) dhe ndarja në vetvete administrative. Qeveria e parlamenti bënë të dytën, pa bërë të parën dhe ende sot nuk kemi asnjë produkt nga paketa kryesore mbi ligjet, funksionet dhe pasojat e ndarjes në administrimin e vendit. Për shembull, nuk ka ligj të ri organik për pushtetin e ri vendor, nuk ka bazë ligjore solide mbi buxhetimin e ri, mbi shkrirjen dhe bashkimin e njësive, mbi kontratat e shumta që trashëgohen, mbi sistemin e taksave dhe përgjegjësive, mbi funksionet e administratorit dhe këshillit të ri, mbi rolin që do ketë prefekti apo qarku, dhe sidomos, mbi procesin e premtuar decentralizues në shërbimet në shëndetësi, arsim, mjedis, kulturë, trashëgimi, turizëm dhe burimet natyrore. Merrni vetëm planet urbanistike. Të gjitha bien me ndarjen e re dhe duhen ribërë nga e para. Kosto pa fund, kohë e humbur dhe mandat i humbur për të zgjedhurit e rinj.

 

A janë bashkiakët e rinj të qartë me kompetencat që kanë në ndarjen e re?

Jo, dhe ky është paradoksi. Dëgjoj këto ditë që disa kandidatë premtojnë gjëra që nuk i kanë kompetencë dhe madje nuk i kanë as në territorin e tyre. Le të marrim shembull Tiranën. Flitet për unazën e re, por në fakt ajo kalon nga territori i një njësie tjetër, Kamzës dhe në rast se dy partitë ndajnë dy njësitë do jetë e vështirë të ketë një projekt konsensual unaze. Flitet për stacionin e ri të trenit por ai aktualisht ndalon në Vorë, një bashki tjetër më vehte. Flitet për rend, shkolla, kujdes shëndetësor, sjellje investimesh të huaja, plane zhvillimi, etj, shumica e të cilave nuk janë direkt kompetencë e qeverisjes vendore. Dhe kur kjo ndodh në Tiranë, imagjino se çfarë ndodh në rrethe të tjera.

 

Po tani cili është roli i Këshillit të Qarkut dhe pse nuk shkrihet?

Duhej shkrirë. Nuk ka sens, nuk ka patur funksion të përligjur dhe as nuk ka. Madje me ndarjen e re është tërësisht demode, jashtë kohe dhe jashtë funksionit. Nëse deri dje merrej me nxitjen e bashkëpunimit midis komunave e bashkive, sot është strukturë parazitare dhe duhet shkrirë. Për këtë duhet ndryshim kushtetues dhe palët nuk kanë konsensus për ndërhyrje në kushtetute. Imagjinoni se për këtë fakt ne do paguajmë me taksat tona rreth 20 milionë euro çdo vit për të mbajtur në këmbë një strukturë tërësisht jo funksionale dhe vendstrehim militantësh të partive.

 

Meqë jemi këtu, sa persona dalin të papunë me ndarjen e re?

Jo shumë. Shkrihen komunat por vendoset modeli i administratorëve. Pra ata që drejtonin, nëse partia e tyre fiton, do drejtojnë përsëri. Kanë humbur pagesat për këshilltarët e komunave, do ketë shkurtime në administratë, por do ketë edhe fryrje të administratës qëndrore. Ndaj nuk pres të ketë shtim të papunësisë, sa do kemi hapësira të reja për punësimin kryesisht të militantëve të palës fituese në bashki.

 

Rrezikon procesi të delegjitimohet nëse rezultati nuk del siç e ka parashikuar secila palë?

Nuk mendoj se do ketë probleme të mëdha me legjitimitetin. Në zgjedhje lokale nuk ka të humbur, secili fiton diku dhe secili gjen alibi për zonat e humbura. Ndaj partitë nuk kanë në status detyrimin për dorëheqje të kryetarit nëse humbin zgjedhjet vendore. Me siguri do ketë kontestime, por këto janë normale dhe nëse KQZ e Kolegji lihen të punojnë, secila mund të marrë përgjigje ligjore. Gjithashtu me siguri dikush nuk do pranojë rezultatin dhe do ta përdorë retorikën e ashpër ndaj zgjedhjeve për të tërhequr vemendjen dhe evituar kritikat brenda partisë. Janë fenomene të tjera në demokraci të brishta, sic është sistemi ynë politik.

 

Si i shikoni kandidatët e pavarur dhe cilat janë shanset e tyre për të fituar?

I shoh me simpati e respekt për dobinë që sjellin. Ata po rrezikojnë, po përballen me partitë e vjetra dhe kjo është meritë që u duhet njohur. Nuk besoj se ndonjë i pavarur ka hyrë në garë të fitojë, por kanë hyrë për të treguar se janë aty, kanë zë, përfaqësojnë diçka përtej turmës partiake dhe se elektorati meriton më shumë alternativa sesa dy palët e emëruara politike.

 

Ç’do të bëhet me kontratat që kanë komunat tashmë që ato nuk ekzistojnë më? Do i kalojnë bashkisë apo do të ndërpriten?

Ligjërisht jo. Por efekti i tyre do jetë maksimal në mbajtjen peng të projekteve të zhvillimit nga pala fituese politike. Është një praktikë që ndiqet nga çdo palë që ikën nga pushteti. Vetë fakti se kandidatët aktualë nuk flasin fare për kontratat dhe detyrimet financiare do të thotë se ose nuk i njohin problemet reale të njësisë ku konkurrojnë, ose janë duke negociuar me palët për mbështetje elektorale dhe favore të tjera që lidhen me financimin, punësimin, lobizmin etj. I mbani mend kur më 2013 premtohej se do rishikoheshin të gjitha privatizimet e mëdha dhe do anulloheshin? Asnjë nuk u anullua, përkundrazi. Vitet kalojnë por politikanët janë të njëjtit, sjellja e mentalitetet janë të njëjta.

 

Si i shikoni palët në këto zgjedhje, pse PS kërkoi sa më shumë aleatë dhe PD i largoi të gjithë?

Mendoj se ishte tregues i mungesës së një strategjie të qartë politike për të njohur gjendjen reale të opozitës dhe sfidat e saj të ardhshme. Për ironi, PD ende sillet sikur është në pushtet ose sikur i është bërë një padrejtësi më 2013. Ajo duhet sa më parë të mësohet se është ndërshkuar me votë masive dhe të gjejë kurajon të analizojë shkaqet reale të ndërshkimit. Vetëm pas kësaj mund të ndodhë që ajo të reflektojë, të reformohet, të mendojë për strategji dhe të bëhet atraktike për shumë zëra të djathtë të papërfaqësuar, midis të cilave edhe parti ose grupe të ndryshme komunitare. Të refuzosh koalicionet me parti me burim tërësisht të djathtë dhe të kërkosh aleatë politikë brenda të majtës, është një eksperiment i dështuar më 2013 dhe me siguri pa të ardhme.

 

Jeni shprehur se Bamir Topi nuk bëri një lëvizje të zgjuar me afrimin me PS, cilat janë arsyet sipas jush që ka gabuar?

Po. Kam bindjen personale se ka qenë vendim i nxitur dhe pa sens politik. E djathta është në krizë dhe ka nevojë për reformim. Modeli LSI nuk është shembull pozitiv për t’u ndjekur, është aksident historik dhe pa të ardhme. Ndaj e djathta ka nevojë për një “LSI” ndryshe, shumë më qytetare, më të hapur, më konkurruese, jo klienteliste, dhe zëdhënëse besnike e parimeve të mirëqeverisjes, pra për parime e vlera që nuk i gjen as në PD. Këtu do duhej ishte vendi i FRD. Ajo zgjodhi bashkimin me të majtën në zgjedhje lokale, diçka që, qofsha i gabuar, por unë e shoh si vizion afatshkurtër dhe pa të ardhme për të dhe këdo që sheh afrimin me pushtetin si mjet mbijetese në politikë. Ky vend vuan nga mungesa e ideve jo e rrogëtarëve burokratë dhe shpesh të korruptuar. Një kërkesë që nga shumë parti të vogla, përfshirë edhe ajo që ju përmendni, u injorua. Dhe ky është një lajm i keq për cilësinë e demokracisë dhe sistemit partiak në Shqipëri.

Intervistoi: Erion Habilaj Gazeta Dita

SHKARKO APP