24 pyetjet që “asgjësojnë” Kodin Zgjedhor
Nga Vladimir Lulaj
Republika e Shqipërisë ka mbi dy dekada e gjysmë, që nuk ia ka mbërritur synimit për të mundësuar një KQZ të pavarur nga partitë politike. Tashmë, bazuar në testin objektiv, nuk ka më dyshime të arsyeshme, por prova dhe fakte tepër serioze; të cilat flasin për mosgarantimin dhe mungesën e paanshmërinë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga ana e shtetit të brishtë ligjor të Shqipërisë. Ndërkohë ka filluar ‘egërsisht’ dhe antiligjërisht fushata paraelektorale për zgjedhjet vendo-re të 21 qershorit 2015. Tendenca për ta kontrolluar dhe komanduar së bashku KQZ-në shqiptare përbën tiparin dallues themelor të triadës PD – PS – LSI; ndaj në Shqipëri vazhdimisht sundon parti-kracia shtetërore, nuk respektohet Kushtetuta, fetishizohen dhe mbrohen haptazi antiligjërisht pushtetet e përkohshëm politikë; të cilët, për të mos humbur kontrollin e plotë ndaj institucioneve kombëtare të shtetit; bëjnë strategema dhe destruktivitet për të manipuluar transparencën lidhur me rezultatin e pritshëm zgjedhor; duke përdorur për këtë qëllim ligjin aktual zgjedhor, objekt hulumtimi.
Ja pyetjet “asgjësuese” për ligjin ekzistues të zgjedhjeve
1. Çdo të ndodhte me administrimin e zgjedhjeve elektorale në Shqipëri, nëse, për arsye të ndryshme, PD, PS dhe LSI do të nxirreshin “jashtë ligjit”, ose kur njwra syresh, mbase edhe të trija së toku, do të “refuzonin” të merrnin pjesë në zgjedhjet e radhës?
2. Në cilin nen të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë është sanksionuar ideja, apo kërkesa ligjore, që administrimi strategjik ligjor i zgjedhjeve u besohet subjekteve politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje, siç përcakton Kodi?
3. Si munden të marrin pjesë në konkurrimin elektoral, duke qenë jo vetëm subjekt politik i tillë garues, por njëkohësisht edhe administratore, kontrolluese dhe vendimmarrëse për rezultatin konkret zgjedhor, disa parti të veçanta politike?
4. Si ka mundësi të pranohet pa diskutim fakti që disa “garues elektoralë”, siç janë 4 parti konkrete nga minimumi 40 të tilla, të jenë njëkohësisht jo vetëm garuese, por edhe juria vendimmarrëse e garës elektorale?
5. Si mund të jetë e ndershme, e barabartë dhe në përputhje me parimin e moscënimit të zgjedhjeve pjesëmarrja e dyfishtë, edhe në pozicionin e subjektit politik garues elektoral edhe në jurinë vendimmarrëse të garimit elektoral, sic janë Komisionet Zonale Zgjedhorë dhe Komisio-net e Qendrave të Votimit?
6. Si ka mundësi që, në KZZ, KZQV dhe KQV, disa nga subjektet politike regjistrojnë vetveten në garim dhe marrin vendime de jure të “apelueshme”, por de facto të pa revokueshme për konkurrentët, që s’kanë të drejtë përfaqësimi në juritë e garës elektorale?
7. Pse jo të gjitha partitë politike të regjistruara në KQZ si subjekt zgjedhor, ndonëse kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues në KZZ, KZQV, KQV dhe në Vendin e Numërimittë Votave, pas regjistrimit të një kandidati për njësinë zgjedhore përkatëse, ose pasi ka paraqitur listë shumë emërore; nuk u njihet e drejta të kenë përfaqësues brenda çdo grupi përkatës të numërimit të vota-ve, siç kanë 4 subjekte politike?
8. Ruajna i Plotfuqishëm ZOT, pse të konsiderohen si ‘deputetë të popullit’ 140 deputetët totalisht partiakë, që zgjedh populli me votim indirekt dhe jo drejtpërdrejti në zonat njëemrore elektorale inekzistuese në shkallë vendi?
9. Pse Kodi Zgjedhor nuk sanksionon vetëm 40 deputetë politikë në Kuvendin tonë Popullor?
10. Pse fetishizohet përfaqësimi alternativ partiak në Parlamentin Shqiptar dhe çuditërisht është shmangur, duke mos u sanksionuar garantimi ligjor i përfaqësimit të popullit në Parlament, nëpër-mjet organizimit të 100 deputetëve, të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga populli në zonat njëemërore, ndaj edhe konkretisht të “pavarur” nga alternativat politiko-partiake, në 12 grupe parlamentarë Qarku, sa ka të tillë Shqipëria?
11. Pse nuk është konceptuar, fund e krye, në tërë piramidën e vet, domosdoshmëria e institucionit shtetëror të zgjedhjeve si njësi organizimi, menaxhimi, kontrollimi dhe juri vendimmarrëse kombëtare për zhvillimin në kushte dhe mundësi të barabarta ligjore të garës elektorale; e cila, për të qenë e drejtë, e ndershme, e paanshme dhe në standarde të pa kontestueshme demokrati-ke, duhet të ligjërojë departizimin dhe pavarësinë e plotë të këtij institucioni kundrejt gjithë subjekteve politikë garues elektoralë, pa bërë asnjë përjashtim…?
12. Pse padrejtësisht u është njohur “e drejta ligjore” joracionale të marrin vendime KZZ –të dhe KZQV-të, tërësisht partiake dhe plotësisht të interesuara vetëm për subjektet e tyre garues politikë elektoralë, për të caktuar kryetarin, zv/kryetarin, anëtarët dhe sekretarët e grupeve të numërimit të votave, ku kurrsesi nuk përfshihen përfaqësues të partive politike, që nuk kanë anëtarë në KZZ, KZQV, KQV?
13. Pse vendi i numërimit të votave të mos jetë pikërisht qendra e votimit?, dhe pse në auto-mjetin që transporton kutitë e votimit me fletët e votimit dhe kutitë me Materialet e Votimit të mos ndodhen gjithë përfaqësuesit e subjekteve politikë garues elektoralë, por vetëm sekretari, plus anëtarët e miratuar të KQV-ve dhe një punonjës policie?
14. Pse grupet e marrjes në dorëzim të kutive të votimit me fletë votimi dhe të kutive me Materialet e Votimit në Vendin e Numërimit të Votave, pas caktimit nga KZZ-ja, ose KZQV-ja, konsiderohen të besueshëm, ndonëse mungon krejtësisht kontrolli i shumëfishtë ndaj tyre, si përshembull me kamera të fshehta dhe nëpërmjet përfaqësuesve të subjekteve politikë garues elektoralë, që nuk kanë anëtarë në KZZ dhe KZQV?
15. Pse të mos marrin pjesë përfaqësuesit e tërë subjekteve politikë elektoralë në grupet e numërimit të votave; ose pse anëtarët e KQV dhe përfaqësuesit e subjekteve politikë, që kanë “garantuar” procesin e drejtë të votimit nëpër qendrat e veçanta të votimit, të bëjnë pjesë në grupet e numërimit të votave në Vendin e Numërimit të Votave, duke mbajtur kësisoj përgjegjësi të plotë për tërë procedurën ligjore të votimit?
16. Pse bëhen më të kushtueshme financiarisht zgjedhjet, duke përfshirë grupet e “rinj” të numërimit të votave?, kur do të ishte më e arsyeshme formula e “interpretit” me të njëjtët grupe pune, fillimisht në qendrat e veçanta të votimit, dhe më pas të integruar në Vendin e Numërimit të Votave… Ndërrimi i “dekorit” nuk supozon zëvendësimin e “aktorëve” të dobishëm dhe as “shpërndarjen” e përgjegjësisë në rast dështimi…
17. Si garantohen zgjedhjet e ndershme, kur shmangen nga e drejta e shoqërimit direkt të kuti-ve të votimit për në vendet e numërimit të votave përfaqësuesit e subjekteve zgjedhorë politikë, që nuk kanë anëtarë në komisionet e qendrave të votimit?
18. Si mund të shmanget skepticizmi dhe të krijohet besimi ligjor, se pavarësisht nga mizanskenat e shumta lëvizore nuk do të ketë manipulime?
19. Pse u është besuar ligjërisht leximi i votave të elektoratit përfaqësuesve të partive politike dhe jo përfaqësuesve të departizuar të shtetit?
20. Pse shkelet Kushtetuta e Shqipërisë, duke formuluar premisa që “shkelin” principet e barazisë dhe të paanësisë në procesin zgjedhor?
21. Pse ish, ose ekzistueset parti politike parlamentare favorizohen deri në atë masë sa t’u njihet e drejta të “albitrojnë dhe të komandojnë” subjektet e tjera garuese?
22. Me c’të drejtë vetëm katër subjekte politike trajtohen me status privilegjues vendimmarrës, kurse të tjerave nuk u njihen këto posedime?
23. Pse “befas” fetishizohet roli i kryetarit të Grupit të Numërimit të votave dhe pse në këtë grup nuk marrin pjesë përfaqsues të gjithë subjekteve garues politikë?
24. Pse “kopjo të tabelës së rezultateve i jepen çdo anëtari të Grupit të Numërimit dhe vëzhgues -ve të partive parlamentare”, por jo tërë vëzhguesve të subjekteve politike?