28-29 Nëntori në Tiranë, dy ditë plot aktivitete
Tirana është gati të festojë 28-29 Nëntorin, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të madhe festimesh. Për dy ditë me radhë, qytetarët do të kenë hyrje falas në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike që varen nga Bashkia e Tiranës, përfshirë kinemanë “Maks Velo”, shtëpitë muze “Kadare-Agolli” dhe Kopshtin Zoologjik.
Festa nis më 28 Nëntor, në orën 10:00, me ceremoninë e Nderimit të Flamurit. Më pas, Pazari i Ri do të shndërrohet në një hapësirë të madhe festive me aktivitete tradicionale, ku të rritur e fëmijë do të shijojnë gatime shqiptare, performanca folklorike dhe muzikë live.
Në bulevard, tek instalacioni “Trumpeta”, Ansambli Popullor i Tiranës do të sjellë një performancë të veçantë që premton emocione dhe atmosferë të ngrohtë. Një koncert i dedikuar fëmijëve do të zhvillohet në Kopshtin Zoologjik, ndërsa Parku Rinia do të presë një sërë aktivitetesh të hapura për të gjithë publikun.
Më 29 Nëntor rikthehet tradita e shumëpritur e Natës së Bardhë. Në sheshin qendror do të mbahet koncerti gjigant me disa nga emrat më të njohur të skenës shqiptare: Era Istrefi, Majk, Lumi B, Soni Malaj dhe Kida, të cilët do të ndezin atmosferën nga ora 18:00 deri në mesnatë. Edhe gjatë 29 Nëntorit, të gjitha aktivitetet dhe institucionet kulturore do të jenë falas.
KOHA JONË SONDAZH

