28-29 Nëntori, politika sërish e ndarë për festimet
Duke vijuar kështu në traditën e krijuar prej vitesh në vendin tonë, ku e majta dhe e djathta i festojnë ndryshe nga njëra-tjetra ditët e 28 dhe 29 Nëntorit. Dukuri kjo, të cilën e konfirmojnë të dhënat e axhendave respektive që kanë publikuar ditën e djeshme tre institucionet: Presidencë, Bashki e Tiranës dhe Kryeministri. Ajo që bie në sy përshembull menjëherë teksa i përball ato me njëra-tjetrën është fakti sesi dy të fundit, nuk kanë organizuar asnjë aktivitet për datën 29 nëntor, e cila në fakt për të majtën në tërësi simbolizon ditë të çlirimit të vendit dhe këtë vit një jubile të caktuar të tij, siç është edhe 70-vjetori i Çlirimit. E pikërisht në këtë ditë, as Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe as kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nuk kanë planifikuar ndonjë aktivitet të veçantë. Të njohur që të dy si përfaqësues të së djathtës në vend, ata duket se paraqesin kësisoj qëndrimin zyrtar të kësaj të fundit, prej vitesh për të njohur si ditën e çlirimit të vendit, pikërisht atë të 28 Nëntorit, e cila përkon në fakt edhe me ditën e Pavarësisë. Këtë e tregon konkretisht fakti që kryedemokrati Lulzim Basha, i cili është në të njëjtën kohë edhe kryebashkiaku i Tiranës, do të zhvillojë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të vendit, pikërisht në mëngjesin e ditës 28 nëntor, duke sinjifikuar në këtë mënyrë nderimin e të rënëve për çlirimin e vendit, në ditën që përkon historikisht në të njëjtën kohë edhe me pavarësimin e tij. Veprim ky të cilin kryeministri Edi Rama, do ta bëjë në fakt, një ditë pas tij, pikërisht më 29 nëntor, duke referuar në këtë mënyrë qëndrimin e kamkpit politik të cilit i përket, që njeh pikërisht si ditën e çlirimit të vendit këtë datë dhe duke e mbrojtur vazhdimisht me argumentin se ka qenë ajo kur është larguar edhe gjermani i fundit nga vendi ynë e aspak 28 nëntorit, siç pretendon e djathta shqiptare. E kësisoj, i bie që edhe ky fund nëntori për vendin tonë të përshkohet nga aktivitet dhe festime të ndara mes palëve, për të folur sërish për një mosakordim të tyre lidhur me festat e nëntorit.
AXHENDAT
Presidenti i Republikës
28 Nëntor
10.00
Presidenti i Republikës do të jetë në Vlorë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit;
12.30
Në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Krujës (Salla e Trashëgimisë) Presidenti do të zhvillojë Kuvendin “Historia i flet së ardhmes”;
18.30
Presidenti do të dekorojë figura të shquara historike në Pallatin e Brigadave;
19.30
Do të japë pritjen për nder të Festës së Pavarësisë në hotel “Sheraton”.
Kryeministri i vendit
28 Nëntor
10.00
Ceremonia e vendosjes së kurorave në Monumentin e Pavarësisë në Vlorë.
29 Nëntor
10:00
Ceremonia e vendosjes së kurorave në Varrezat e Dëshmorëve;
11:30
Parada Ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes
17:00
Ekspo “Këndvështrime”, në Hollin Protokollar në Kryeministri
18:00
Festivali i Dritave
19:30
Pritje në Pallatin e Kongreseve me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit
22:00
Koncert & Nata e bardhë, Sheshi “Nënë Tereza”
Bashkia e Tiranës
28 Nëntor
10.00
Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve;
11.00
Homazhe pranë shtatores së Adem Jasharit
Deri 13.00
Kupa “Pavarësia” në danse – aerobi
16.00
Homazhe pranë shtatores të IsmailQemalit
18.00
Në universitetin e Arteve, koncerti i Filarmonisë së Tiranës me vepra nga kompozitorët më të mirë shqiptarë, Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Kujtim Laro, Avni Mula, Hajg Zacharian; solistë, Ramë Lahaj, Eva Golemi, Maria Prifti, Gjylie Pelingu, nën drejtimin e Petrika Afezollit.
19.00
Shfaqje “Ata hyjnë pa trokitur” – teatri “Metropol”, dramë shqiptare në kujtim të jetëve të sakrifikuara në ferrin komunist (hyrja pa bileta).
SIGURIA
Policia: Ja masat që
do merren për festat
Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit do të kalojnë në shërbim të përforcuar deri në datë 30 nëntor. Kjo është vetëm njëra nga masat që Policia e Shtetit, në kuadër të festave të 28-29 Nëntorit, ka planifikuar të vërë në zbatim, me synim garantimin e sigurisë publike dhe garantimin e mbarëvajtjes së të gjitha aktiviteteve festive, që do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve. “Masat e strukturave qendrore e vendore të policisë, janë përqendruar në drejtim të garantimit të qetësisë publike, kontrollit të plotë të territorit, menaxhimit të trafikut rrugor, rritjes së sigurisë rrugore në të gjitha akset e vendit, rritjes së standardeve të shërbimit në pikat e kalimit kufitar, sigurimit të një shërbimi policor në përputhje me etikën, si dhe krijimit të një mjedisi sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët”, cilëson ky institucion. Duke saktësuar se janë përforcuar edhe shërbimet e Policisë Rrugore, me synim parandalimin e aksidenteve, mbajtjen nën kontroll të trafikut, moslejimin e bllokimit të rrugëve, si dhe për garantimin e një lëvizje e qarkullimi pa probleme të të gjithë përdoruesve të rrugës. “Vëmendje e veçantë në këtë drejtim i është kushtuar përforcimit të shërbimeve që lidhin pikat kufitare me akset kryesore të vendit. Në ato raste kur do të evidentohen automjet, të cilat qarkullojnë të organizuara në drejtim të qyteteve të Tiranës apo Vlorës, do të bëhet shoqërimi stafetë i tyre. Ndërkohë në Pikat e Kalimit Kufitar është planizuar personel shtesë, me synim menaxhimin sa më mirë dhe pa vonesa të fluksit të lëvizjes së qytetarëve vendas e të huaj”, cilëson gjithashtu Policia e Shtetit.