3.5 milionë euro për 3800 familje, ja kush përfiton strehim

 

Projektbuxheti i vitit 2016 parashikon për strehimin fondin prej 478.9 milionë lekë dhe krahasuar me vitin 2015 fondi i alokuar është 16% më i lartë.

Sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban për vitin 2016 fondi i alokuar 308 milionë lekë, do të shkojë për subvencionimin e interesave të kredive për 3811 familje, që kanë përfituar nga procedurat e kreditimit për kredi me 0 dhe 3% interes, që prej vitit 2009, si dhe për subvencionimin e qirasë apo bonusit të strehimit.

“Bonusi i Strehimit përfaqëson ndihmë nga shteti në masën 50% të qirasë më të ulët në tregun e lirë, i cili mbulon shpenzimet e familjeve në nevojë për strehim.Bonusi i strehimit jepet me miratim të Këshillave Bashkiak nëpërmjet fondeve të bashkise për çdo familje në nevojë për bonus” tha Ministrja Gjermeni ndërsa prezantoi dje në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisin “P/Buxhetin 2016” për zhvillimin urban dhe strehimin.

Kategoritë që përfitojnë

Sipas Gjermenit, prioritet Bashkia u jep 7 kategorive të mëposhtme:

a)Personat me statusin e jetimit;
b)Personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave për këto kategori;
c)Familjet e policëve të rënë në detyrë;
ç) Emigrantët e rikthyer;
d) Punëtori emigrant;
dh) Familjet e komunitetit rom;
e) Punonjësit e Policisë së Shtetit.”
Bonusi me fondet e buxhetit të shtetit planifikohet në PBA bazuar në kërkesat e paraqitura çdo vit nga bashkitë.
Në projektbuxhetin e vitit 2016, 10 milionë lekë janë parashikuar për tu përdorur për Bonusin e Strehimit.

Të dy këto instrumente financiarë që parashikohen edhe në Ligjin aktual për Strehimin do të përdoren për të mbështetur financiarisht familjet në nevojë.

Gjithashtu me fondin e planifikuar në projektbuxhetin e vitit 2016 parashikohet për herë të parë, subvencionimi i interesave të kredive dhe qerave financiare për 25 familje një prindërore dhe gra të dhunuara, në kuadër të përfshirjes në procesin e buxhetit edhe buxhetimin gjinor.

113.8 mln për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom dhe egjiptian

Nga programi përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian në njësitë e qeverisjes vendore, i krijuar për herë të parë nga kjo qeveri, dedikuar kësaj kategorie shumë në nevojë, për vitin 2016 fondi i alokuar në vlerë 113.8 milionë lekë për këtë program është rritur me 25% dhe i gjithi do të shkojë për investimin dhe zbatimin e projekteve për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit Rom dhe Egjiptian, nga të cilat pritet të përfitojnë 183 familje rome dhe egjyptiane, në disa bashki të vendit.

Ndërkohë që për vitin 2016 fondi i alokuar për zbatimin e projekteve në fushën e efiçencës së energjisë, është 37.1milionë lekë ose sa dyfishi i buxhetit të planifikuar në 2015 do të mundësojë rinovimin e banesave në bashkëpronësi për rreth 64 apartamente.

Fonde për shpronësimin e familjeve që preken Transballkanikja dhe Unaza e Madhe

Në vitin 2016 vlera e alokuar prej 20 milionë lekë do të shkojë për pagesat e qerasë për 40 familje në qytetin e Vlorës, që preken nga realizimi i projektit “Lidhja e rrugës Transballkanike, me superstradën Fier Vlorë” dhe 103 familje në qytetin e Tiranës, që preken nga realizimi i projektit “Unaza e Madhe e Tiranës, segmenti “Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës”.

Gjermeni tha ndër të tjera, se për herë të parë është aplikuar skema e pagesës së qerasë për dy vite për të gjitha ato familje banesat e të cilave prekeshin nga zbatimi i projekteve madhore me interes publik por që nuk përfitonin nga fondi i shpronësimit.

“Për periudhën 2013-2017 Enti Kombëtar i Banesave ka programuar të dedikojë rreth 900 milionë lekë për ndërtimin e 350 apartamenteve në 6-7 qytete të vendit në marrëveshje me kryetarët e bashkive.

Ky është niveli më i lartë i investimeve të realizuara ndonjëherë nga Enti me të ardhurat e veta”.

Në periudhën 2013-2014 u investuan 79 milionë lekë për përfundimin e një objekti me 35 apartmante në qytetin e Fierit, si edhe për fillimin e punës në objektin e dytë me 540 apartamente në Fier dhe një objekt të ri në Berat.

Objekti me 35 apartamente në Fier është përfunduar dhe është në pritje të miratimit të listës së përfituesve nga këshilli bashkiak

Në të njëjtën situatë është edhe objekti i ndërtuar më parë në qytetin e Kavajës, ku priten të strehohen 35 familje.

SHKARKO APP