30 përfituesit më të mëdhenj nga falja e gjobave
Lajme E Premte, 16 Prill 2021 04:58
Open Data Albania ka hulumtuar lidhur me tatimpagues përfitues nga falja e gjobave në zbatim të Ligjit 39/2014 “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore, të kryera për periudhën 1 mars – 31 gusht 2013”. Ky ligj parashikon faljen e gjobave të vendosura, si pjesë e detyrimit tatimor, nga administratat tatimore qendrore dhe vendore. Përfitues janë tatimpagues me gjoba të evidentuara dhe të kontabilizuara në regjistrat tatimorë nga 1 mars deri më 31 gusht 2013. Qeverisja e majtë e ardhur në pushtet pas rotacionit politik të qershorit 2013, hartoi dhe miratoi këtë ligj duke pretenduar arbitraritet tatimor në periudhën e fundit të qeverisjes së të djathtës. Ky ligj me efekte të një amnistie fiskale ka shkaktuar mjaft debate dhe diskutime mbi objektivitetin apo favorizime të mundshme të kompanive të caktuara, përmes një premtimi elektoral.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rezultojnë 4 053 gjoba të falura, për 1 643 subjekte tatimpaguese, me vlerën e 3 160 858 203 lekëve (tre miliard e njëqind e gjashtëdhjetë milion e tetëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e dyqind e tre lekë). Lista e të gjitha gjobave dhe renditja e 30 përfituesve më të mëdhenj.
Subjekti me vlerën më të madhe të gjobave të falura është OSHEE në vlerën 719 114 230 lekë, përkatësisht sa 23% e totalit të gjobave të falura. Këto gjoba janë vendosur për mosplotësim të saktë të deklaratës.
Subjekte të tjera me vlera të larta të gjobave të falura janë A.R.M.O. në vlerën 604 529 081 lekë, ”HOXHA” në vlerën 162 363 209 lekë, KURUM INTERNATIONAL SH.A. në vlerën 156 414 971 lekë, SILE_ALB në vlerën 143 804 754 lekë dhe PROKAT në vlerën 121 131 211 lekë.
(Shiko tabelen ne foto)