Berisha: Sot jemi përballë një diktature si atëherë
Para selisë blu u zhvillua sot ceremonia për 35-vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike, ku kryedemokrati Sali Berisha mbajti një fjalim të gjatë përballë deputetëve të tij besnikë dhe mbështetësve të shumtë.
Berisha e nisi fjalën e tij duke përkujtuar figurat më të shquara të PD-së që kanë kontribuar në themelimin dhe drejtimin e forcës së parë opozitare në vend, por që sot nuk jetojnë më.
Berisha përkujton figurat e PD: “Nderim të thellë për Pjetër Arbnorin, Gramoz Pashkon, Bujar Nishanin, Sokol Olldashin…”
“Nderim të veçantë për kontributin e themeluesit të shquar të PD-së, intelektualit të pavdekshëm Gramoz Pashko. Përulemi me respekt para Mandelës së Europës, Pjetër Arbnorit, qëndrestarit të papërkulur Ali Spahia, burrit të shtetit Bujar Nishani, ministrit brilant Sokol Olldashi, udhëheqësit të talentuar të rinisë, Gerti Bogdanit, dhe dhjetëra drejtuesve të tjerë të kësaj partie,” tha Berisha.
Ai theksoi se ndryshimet e mëdha që përjetoi Shqipëria pas rënies së komunizmit janë të lidhura ngushtë me Partinë Demokratike dhe idealet e saj themeluese.
Berisha: “Rama tentoi të anëtarësohej në PD, por e përzumë”
Në një deklaratë të fortë politike, Berisha u rikthye në ditët e parë të vitit 1990, duke pretenduar se Edi Rama ka kërkuar të bëhej pjesë e PD-së në kohën e themelimit.
Sipas tij, demokratët e kohës e kuptuan menjëherë se “nuk ishte njeriu i duhur”.
“35 vite më parë, ndër të rinjtë që vinin çdo ditë në PD ishte edhe një djalë 26 vjeç, pedagog i arteve. Askush nuk mendonte se ai do të kthehej më pas në fatkeqësinë më të madhe të kombit shqiptar pas Enver Hoxhës. Ky ishte Edvin Kristaq Rama. Ai nuk rezistoi dot më shumë se disa orë brenda PD-së. Demokratët kanë instinkt të pagabueshëm për të dalluar të mirën nga e keqja,” deklaroi Berisha.
“Sot kemi diktaturë të re, të bazuar në drogë dhe vjedhje”
Berisha e krahasoi situatën politike të sotme me klimën e vitit 1990, duke akuzuar qeverinë Rama se ka ngritur një sistem autoritar.
“Kur u themeluam kishim diktaturë. Sot kemi një diktaturë tjetër, një diktaturë të bazuar në drogën dhe vjedhjen, me ideologji postmarksiste të ekstremit të majtë. Rama që përzumë nga PD ka ngritur narkoshtetin e parë në Europë,” tha ai.
Ai akuzoi kryeministrin për lidhje me “kartelet më të rrezikshme të drogës” dhe për shpopullimin e vendit:
“Shqipëria është shpopulluar. Ka ndodhur katastrofa më e madhe demografike e kombit. Edi Rama ka grabitur pasuritë e shqiptarëve,” u shpreh Berisha.
PD 35 vjet me pas: Sfida të reja në një realitet të ndryshuar
Festa e 35-vjetorit vjen në një moment të komplikuar për PD-në, midis përçarjes së brendshme dhe presionit politik nga qeveria. Berisha theksoi se forca që ai drejton është “në një betejë të dytë historike për liri”, ndërsa kërkoi mobilizimin e demokratëve.
KOHA JONË SONDAZH
A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?
Results
Vota totale: 7175

