4 këshilla që NUK do t`ja jap tim biri në klasën e parë
Nga Agustin Prenga
Të jesh i pari i klasës.
Biri im nuk të uroj që të jesh i pari i klasës medoemos. Nuk dua të të rëndoj me këtë barrë. Dua të siguroj që kjo nuk është më e rëndësishmja. Ti je më shumë se renditje zotësish. Për ne ti je dhurata e çmuar. Prindërit tuaj besojnë në Perëndi. Besojnë në një perëndi të dashur e sakrifikues që bën dhurata të mira. Ti je një prej tyre. Oh sa dhuratë e çmuar. Si ty ne nuk kemi të dytë. Ti për ne që tani je dhe do të jesh një NJëSH.
Të nderosh prindërit, gjyshërit lagjen fisin.
Biri im ti nuk zgjodhe prindërit, gjyshërit dhe fisin. Në shoqërinë tonë ne gjithcka e kategorizojmë në nder ose turp. Ditët e jetës do të duan të përfufizojnë veprimet tua në këto dy përcaktime. Fakti që nëna jote dhe unë jemi prindërit e tu nuk e llogarisim as nder as turp. Më shumë se nderi a turpi ynë ti je fëmija ynë. Fëmija ynë i dashur. Vlera jote për ne nuk llogaritet me atë se çfarë bën por se kush je. Biri im: Mos e bëj shkollën çështje nderi ! Ti për ne nuk je çështje nderi. Ti për ne je çështje dashurie.
Të zgjedhësh një profesion që të bësh lekë
Të kesh do të jetë tundimi më i madh i jetës tënde. Nëse gjithë bota do fliste njëzeri jehona do të ishte ;Dua të kem më shumë. Asnjë profesion nuk do ta bëjë një gjë të tillë për ty. Asnjë nuk do të sigurojë mjaft. Ajo që do të sigurojë do jetë një jetë të papërmbushur. Si ajo që krijon iluzioni i zotërimit të erës. Unë do të thoja zbulo pasionin e jetës tënde dhe jeto. Ti je unik në këtë botë. Ajo që ti i sjell njerëzimit është një kontribut që askush nuk e sjell. Askush nuk e ka sjellë në të shkuarën. Askush nuk do ta sjellë në të ardhmen. Sepse si Ti bota ka vetëm Ty. Jep më të mirën e vetes. Edhe kur nuk paguhesh për të.
Mbaje mirë me mësuesin
Mësuesia është një profesion mjaft ndikues por pak i vlerësuar së fundmi. Dashur pa dashur të gjithë kemi në formimin tonë një pjesë të mësuesve tanë gjatë ciklit shkollor. Por mësuesi nuk është jeta jote. Nuk është zotëria i jetës tënde. Mësuesi është një bashkëudhëtar stinor. Respektoje mësuesin! Mos e lajkato, mos bëj të preferuarin,atë që ja miraton çdo fjalë. Mos ji arrogant apo i gjithdijshëm. Pyete mësuesin, sfidoje intelektualisht në njohuritë e lëndëve. Në rastin më të keq do vlerësohesh me një notë më pak nga një mësues jo fort i mësueshëm . Në rastin më të mirë vitin tjetër do kesh një mësues më të përgatitur . Në të ardhmen një brez tjetër nxënësish më të aftë për jetën si pasojë e mësimdhënies së përmirësuar të mësuesit tënd. Bëje mësuesin më të mirë. Mbaje mirë me dijen. Mbaje mirë me të vërtetën.
P.S Biri im jam i bindur që zotësitë tuaja do të vendosin në mes të diturve të brezit tënd. Si pasojë mbiemri ynë do të përdoret shpesh në referenca publike. Kësisoj do të bësh një jetë të larmishme me ndikim pozitiv . Mësuesit e tu do të dëshirojnë që më shumë nxënës si ti ti kenë në bankat e klasave të tyre.
Besoj e gjithë kjo nuk është qëllim në vetvete por është më shumë pasojë se kush je. Lutem dhe shpresoj që do jesh një protagonist kurajoz në familjen tënde, shoqërinë shqiptare e më gjerë. I themeluar dhe drejtuar nga vlera të shëndosha morale.
TEMA