4 vjet pas Gedafit, a është Libia një vend i më mirë?
Lajme E Shtunë, 17 Prill 2021 16:31
Nga Mustafa Fetouri*
Një ish-udhëheqës rebel, që nuk dëshiron të identifikohet nga frika e hakmarrjes, pohon se vdekja e Gedafit nuk është dashur domosdoshmërisht nga populli libian, por nga politikanët e huaj, për shkak se ai dinte shumë. Sipas tij, nëse Gedafi vendoste të fliste në gjyqin që do të zhvillohej ndaj tij, mund të vinte në pozita delikate shumë liderë rajonalë dhe botërorë Njëzet tetori i vitit 2011, do të shënonte fundin e udhëheqësit libian Muamar Gedafi, që gjeti vdekjen në rrethana ende misterioze, teksa karvani me automjete ishte duke u larguar nga qytetin i tij të lindjes Sirte, në Libinë qëndrore, teksa ndërsa rebelët e mbështetur nga NATO e rrethuan. Nuk ka asnjë dëshmi të besueshme se si apo pse vdiq, por Human Rights Watch, beson se karvani i tij u bombardua fillimisht nga një avion i NATO-s, duke e detyruar liderin libian dhe rreth 250 ndjekësit e tij më besnikë të kërkonin strehim. Më pas një video amatore tregon një Gedafi të plagosur, ndërsa ishte duke u ngarkuar në një kamion kamionçinë nga turma e rebelëve për t’u çuar në Misrata rreth 250 kilometra në veriperëndim të Sirtes, në një kohë që pak orë më vonë ai u shpall i vdekur. Prej atëhere, Libia gjendet e zhytur në një spitale të rrezikshme dhune, në pikën e moskthimit prapa, teksa militantët islamikë terrorizojnë civilët, ndërsa dy qeveri rivale luftojnë njëra-tjetrën. Autoritetet libiane nuk hetuan plotësisht mbi atë ngjarje, pavarësisht premtimeve për ta bërë këtë, ndërsa nuk ka asnjë deklaratë zyrtare rreth asaj që ndodhi në të vërtetë. Rebeli që pretendoi se kishte kapur të gjallë Gedafin, Omran Bin Shaban, vdiq në rrethana të paqarta, ndërsa ishte duke u mjekuar në Francë në vitin 2012.
Vdekja e Gedafit do të hyjë si një pikë referimi, sigurisht në aspektin negativ. Ajo vështirë se përfaqëson ndonjë prej idealeve, për të cilat aspiroi një komb i tërë, që sapo kishte dalë nga dhuna dhe lufta revolucionare, dhe që mendohej se do të kthente, në mes shpresave të tjera, drejtësinë dhe sundimin e ligjit. E gjitha kjo të shpie drejt një pyetje të thjeshtë:A është më mirë Libia pa Gedafin? Shumica e libianëve do të donin ta shihnin atë përpara gjykatës, për t’iu përgjigjur shumë pyetjeve që vetëm ai mund t’u jepte përgjigje. Tek e fundit, Gedafi sundoi për më shumë se 4 dekada. Por sot edhe më shumë libianë, duke përfshirë edhe ish-udhëheqës të kryengritësve, mendojnë se ai u vra për të njëjtat arsye që duhet të ishte gjykuar:prandaj atij nuk do t’i jepej mundësia për të folur.
Hasan, një ish-udhëheqës rebel që nuk dëshiron të përdorë emrin e tij të vërtetë nga frika e hakmarrjes, tha për “Al-Monitor” se “vdekja e Gadafit me siguri nuk është ajo që kemi dashur, por unë besoj se politikanët vendas dhe të huaj e donin atë të vdekur, për shkak se ai dinte shumë”. Duke folur, ai mund të vinte në pozita delikate shumë liderë rajonalë dhe botërore. Kur u pyet në lidhje me situatën në vendin e tij sot, Hasan tha:”Nuk është aspak premtuese, dhe shumë prej nesh (ish-rebelët) ndjejnë keqardhje për atë që ka ndodhur, sepse ne nuk pritëm kurrësesi që të ishte kaq keq”. Pa dyshim, Libia sot është një vend i copëtuar dhe pa asnjë qeveri qëndrore. Në vend të kësaj, ajo ka dy qeveri që janë në konflikt me njëra-tjetrën – njëra në Tripoli që nuk njihet nga asnjë shtet tjetër, dhe tjetra në qytetin e El-Bajadas, e cila gëzon njohje ndërkombëtare, diçka kjo e padobishme gjykuar nga rrethanat aktuale. Në të njëjtën kohë, grupime të ndryshme terroriste janë duke e zgjeruar ndikimin e tyre në Libi. Më i rrezikshmi është Shteti Islamik, që deri më tani ka pushtuar 3 qytete:Derna në lindje, Sirte në qendër dhe Subrata në perëndim. Pra, shumë libianë ndajnë besime të tilla në ditët e sotme, pasi ata e krahasojnë vendin e tyre dhe në fakt jetën e tyre aktuale, me atë të kaluar nën sundimin Gedafit. Dy javë më parë, ISIS-i ndërmori sulmin e tij më të guximshëm në Libi, ndaj një kompleksi burgjesh në bazën ajrore të Mitigas, një vend i sigurtë në Tripoli. Në të njëjtën kohë, milicitë e ndryshme veprojnë ende jashtë çdo kontrolli qeveritar, me gjyqësorin që mezi mbahet në këmbë. Arrestimet arbitrare, rrëmbimet dhe vrasjet ndodhin ende, megjithëse në një shkallë më të vogël se 3 vjet më parë. Të shtënat sporadike, barrikadat dhe mungesa e energjisë, janë bërë diçka e zakonshme.
Bengazi, qyteti i dytë më i madh në Libi, ku revolucioni filloi në shkurt të vitit 2011, është shkatërruar thuajse plotësisht nga lufta e vazhdueshme, ndërmjet ushtrisë libiane të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht me qendër në El Bajada, dhe fraksioneve të ndryshme islamike të përqëndruara kryesisht pranë pjesën veriore të qytetit, pranë bregdetit. Kryeqyteti i Tripolit, ndodhet nën kontrollin e një qeverie, që nuk njihet nga asnjë shtet tjetër. Ajo u krijua pas një lufte të përgjakshme, që përfundoi me shkatërrimin e aeroportit dhe pushtimin e qytetit në gushtin e vitit 2014, gjë që e detyroi qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të zhvendosej në Libinë lindore.
Krahasuar me një vit më parë, jeta për libianët e zakonshëm në kryeqytet, mund të jetë përmirësuar disi, por ajo është ende larg normales – normale në krahasim me jetën nën sundimin e Gedafit. Njerëzit nuk kanë ende siguri dhe luftojnë për të mbijetuar, me çmimet që kanë kapur majat për pak atë ushqim bazë që është në dispozicion. Shërbimet themelore mjekësore janë pothuajse inekzistente, duke i detyruar njerëzit të kërkojnë trajtim në Tunizinë fqinje. Ata që kanë mundësi financiare, dhe që kërkojnë të shkojnë në Evropë për çfarëdolloj arsye, e kanë edhe më të vështirë, pasi të gjitha ambasadat perëndimore kanë kohë që janë mbyllur. Për të aplikuar për vizë, çdo qytetar libian duhet të udhëtojnë drejt Tunizit, kryeqytetit të Tunizisë. Prodhimi i naftës, burimi kryesor i të ardhurave të qeverisë, është ulur me tre të katërtat, dhe tashmë vendi nxjerr me pak se gjysmë milioni fuçi në ditë, duke e privuar thesarin nga të ardhurat jetike për të paguar mijëra nëpunës civilë në listë-pagesat e saj. Në këto kushte, qeveria detyrohet të vonojë më të paktën 3 muaj shpërndarjen e tyre. Të gjitha projektet e mëdha infrastrukturore që ishin në proces, kur trazirat filluan 4 vjet më pare, kanë mbetur pezull, pasi kompanitë e huaja janë larguar, duke lënë vinçat gjigandë të mbushin horizontin në Tripoli. Mijëra libianë ndodhen ende të zhvendosur brendapërbrenda vendit, në një kohë që rreth 1 milionë qytetarë janë detyruar të kërkojnë siguri jashtë vendit – veçanërisht në Egjipt dhe Tunizi. Shumica e shkollave dhe universiteteve ende nuk kanë hapur dyert për këtë vit akademik, dhe nxënësit po e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në rrugë, duke rrezikuar shpesh edhe jetën, për shkak të pasigurisë që mbretëron. Ndërkohë, fraksionet politike vazhdojnë të grinden mbi formën e qeverisë së ardhshme, në bisedimet e pafundme të kryesuara nga OKB, dhe që përfunduan kohët e fundit në Skhirat të Marokut. Njerëzit kanë pak shpresë, se vendi i tyre mund të dalë së shpejti nga kjo gjendje. Hasan beson se “bisedime të tilla nuk do të sjellin asgjë për vendin”, duke pranuar se “jeta nën Gedafin ishte shumë më mirë se sa është tani”.
*Mustafa Fetouri është gazetar libian. Ai fitoi çmimin e BE-së ‘Samir Kassir’ për komentin më të mirë në vitin 2010.
“Al-Monitor” – Bota.al